Ekipet e policisë po e sigurojnë zonën e fshatit Bujkovci në Maqedoni të Veriut, në afërsi të Aeroportit të Shkupit, ku dëshmitarët okularë thonë se kanë parë një aeroplan duke fluturuar shumë ulët dhe të njëjtit supozojnë se avioni është rrëzuar.
TV Telma ka raportuar se ky avion nuk është i regjistruar në Agjencinë e Aviacionit Civil dhe Ajror.
Banorët e kësaj zone fillimisht pretenduan se bëhej fjalë për një dron.
Në momentin e raportimit, sipas këtij mediumi, nuk ka pasur asnjë avion që është raportuar se është duke fluturuar në gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut. Gjithashtu nuk ka pasur raportim për ndonjë dron, veçanërisht për faktin se fluturimi me dron është i ndaluar në zonën përreth aeroportit.
Lajmin për gjoja rënien e avionit e kanë bërë të ditur banorët e fshatit Bujkovci në ministrinë e Punëve të Brendshme, ndërsa raporte të ngjashme ka bërë edhe Agjencia e Aviacionit Civil.
Burime nga ministria e Brendshme konfirmuan se pas këtij raportimi përfaqësuesit e tyre e kanë kontrolluar këtë zonë, por nuk kanë gjetur asgjë.
Për shkak që tashmë është errësirë dhe ka reshje të shiut ky terren nuk mund të kontrollohet me helikopterë.
Pas një kontrolli dy orësh, policia u tërhoq nga kjo zonë të cilën e kishte bllokuar. Deri më tani nuk ka një raport zyrtar se për çfarë bëhet fjalë.