Gjatë ditës së djeshme një vajzë e mitur në Pejë ka shqetësuar pa masë familjen e saj, të cilët u detyruan të kërkojnë ndihmën e Policisë së Kosovës për shkak se nuk dinin asgjë për vendndodhjen e 14-vjeçares, raporton Gazeta Sinjali.
Me t’u denoncuar rasti, Policia ka nisur kërkimet për vajzën e mitur, mirëpo ajo vet një ditë më vonë u kthye në shtëpinë e saj shëndosh e mirë.
Sinjali mëson se 14-vjeçarja është paraqitur në Polici e shoqëruar nga nëna e saj, ku para hetuesve policorë ka dhënë deklaratën e saj lidhur me rastin. bazuar në dëshminë e saj, burimet e Sinjalit bëjnë me dije se ajo ka kaluar natën me shoqen e saj në një shtëpi në rrugën ‘Beteja e Loxhës’ në Pejë.
Bashkë me të ishte edhe një person i rritur, 19-vjeçar, i cili ka dëshmuar po ashtu në stacion të Policisë dhe ka pranuar se deri në orët e para të mëngjesit ka qëndruar me të miturën.
Te 14-vjeçarja nuk janë parë shenja dhune dhe e njëjta është kthyer në shtëpinë e saj.