Një kontroll rutinë i Policisë së Kosovës në Skenderaj ka përfunduar me inicimin e një rasti penal ndaj një 48-vjeçari, pasi gjatë kontrollit të automjetit të tij u gjet municion i paautorizuar, raporton Sinjali.
Sinjali mëson ekskluzivisht se bëhet fjalë për Ylber Kamberin 48 vjeçar.
Sipas burimeve të Sinjalit, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 16 korrikut, rreth orës 20:01, në rrugën “Arben Haliti” në Skenderaj, ku Njësia për Reagim të Shpejtë (NJRSH) ndaloi për kontroll një automjet.
Gjatë kontrollit, zyrtarët policorë kanë gjetur në veturë një fishek të kalibrit 9 milimetra, i cili është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
48-vjeçari është shoqëruar në Stacionin Policor në Skenderaj, ku është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës.
Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, ndaj tij është iniciuar procedurë për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Me vendim të Prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet për rastin vazhdojnë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!