image U kapën me mbi 1 kg drogë të bërë gati për shitje, Prokuroria në Prizren kërkon paraburgim për katër të dyshuarit

Drejtësi

U kapën me mbi 1 kg drogë të bërë gati për shitje, Prokuroria në Prizren kërkon paraburgim për katër të dyshuarit

news image

Prokuroria Themelore në Prizren ka parashtruar kërkesë në Gjykatën kompetente për caktimin e masës së sigurisë ndaj katër të dyshuarve që u kapën mbrëmë me mbi 1 kilogram drogë, raporton Gazeta Sinjali.

Nga PTH në Prizren kanë bërë me dije se është parashtruar kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Lavdim Morinës, Amir Bojaxhiut dhe dy vëllezërve Valzon Jeton Kastratit.

Referuar pyetjeve tuaja, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prizren, sot me datë 09.11.2022 pranë Gjykatës Themelore në Prizren ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit kundër katër të pandehurve, për shkak të dyshimit të bazuar se të njëjtit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Blerja posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope apo analoge” nga neni 267, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në përgjigjen e PTH-së për Sinjalin.

Katër të dyshuarit janë arrestuar dje në flagrancë në vendin e ngjarjes, teksa janë gjetur dhe sekuestruar mbi 1 kilogram drogë e llojit marihuanë e cila ishte ndarë në 32 qese dhe ishte e gatshme për shitje apo shpërndarje. Po ashtu janë sekuestruar edhe disa qese me kokainë dhe gjësende tjera në cilësinë e provave materiale, si telefona, një veturë dhe peshore elektrike që shërben për matjen e substancës narkotike.

Të njëjtit do të hetohen nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja apo shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/