image U ftuan nga Specialja, por ish-deputetet nuk mund të udhëtojnë në Hagë për një arsye

Kosovë

Viza/ U ftuan nga Specialja, por ish-deputetet nuk mund të udhëtojnë në Hagë për një arsye

news image

Time Kadrijaj, ish-deputetja nga AAK dhe Safete Hadergjonaj nga PDK nuk do të udhëtojnë për në Hagë për t’u intervistuar nga hetuesit e Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale për shkak të problemit me viza. Intervistat nga hetuesit do të zhvillohen në Prishtinë.

Dy deputetet kanë konfirmuar gjatë ditës së sotme se do të intervistohen në Prishtinë për shkak të problemeve me viza, raporton Gazeta Sinjali.

Gjatë ditës së sotme është intervistuar Time Kadrijaj, në Prishtinë për shkak të problemeve me vizë.

“Në Kosovë do të intervistohem për shkak të vizës. Për shkak të procedurave unë jam vonë që të aplikojë për vizë dhe për këtë arsye kanë vendosur që të intervistohem këtu”, ka deklaruar Kadrijaj për Gazetën Sinjali.

Njëjtë do të intervistohet edhe gjatë ditës së nesërme Safete Hadergjonaj, ish-deputetja e  PDK-së. Ajo ka thënë se pasi kishte pranuar ftesën, tri ditë më pas ishte telefonuar nga një zyrtar i Gjykatës Speciale duke e njoftuar se do të intervistohet në Prishtinë.

“Në ftesën që e kam marrë që intervista do të bëhet në Hagë më 19, ndërsa tri ditë pasi e kam marrë ftesën më ka telefonuar një person dhe më ka thënë se intervista do të zhvillohet këtu për shkak të dokumentacionit sepse nuk kam vizë për arsye se ftesa ka ardhur me vonesë. Aty thuhet që 21 ditë më herët duhet të rregullohet dokumentacioni, kështu që nesër intervista zhvillohet në Kosovë”, ka deklaruar ajo për Sinjalin.

Më tutje Hadergjonaj ka thënë se në ftesën e pranuar është informuar vetëm se do të intervistohet në cilësinë e dëshmitares.

“Në ftesë shkruan se do të intervistohem në cilësinë e dëshmitares, ndërsa nuk kam ndonjë informatë tjetër se për çka do të intervistohem apo ku është fokusi. Po jam interesuar edhe për avokat, por nuk e di si janë procedurat aty”, ka deklaruar Hadergjonaj.

Kujtojmë që edhe persona të tjerë që janë ftuar nga Gjykata Speciale janë intervistuar në Prishtinë për shkak të problemeve me vizë./Gazeta Sinjali/