image U akuzua se punësoi motrën dhe vjehrrën, drejtori i gjimnazit në Prizren: Do ta padisë nesër asamblistin e AAK-së

Arsim

U akuzua se punësoi motrën dhe vjehrrën, drejtori i gjimnazit në Prizren: Do ta padisë nesër asamblistin e AAK-së

news image

Asamblisti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ilir Baldedaj, e ka akuzuar Jeronim Susurin, drejtorin e gjimnazit “Gjon Buzuku” në Prizren, se ka punësuar motrën dhe vjehrrën e tij si mësimdhënëse në dy shkolla të kësaj komune, shkruan Gazeta Sinjali.

Sipas Baldedaj, Susuri ka punësuar motrën e tij, Blerina Susuri, si mësimdhënëse në shkollën “Heronjtë e Lumës”, ndërkaq vjehrrën e tij Agnesa Çipa Laçin si mësuese klasore në shkollën “Haziz Tola”.

“Skandal pas skandali! Drejtori i Gjimnazit “Gjon Buzuku” Jeronim Susuri e paska rehatu mirë motrën e vetë Blerina Susuri në shkollën ‘Heronjtë e Lumës’. Skandali nuk mbaron me kaq, ai e rehatoi edhe vjehrrën e vetë Agnesa Laçi në shkollën ‘Haziz Tola'”, ka shkruar ndër të tjera Baldedaj në Facebook.

Skandal pas skandali! Drejtori i Gjimnazit "Gjon Buzuku" Jeronim Susuri e paska rehatu mirë motrën e vetë Blerina Susuri…

Posted by Ilir Baldedaj on Monday, December 7, 2020

Por, një gjë e tillë është mohuar nga Jeronim Susuri.

I pyetur nga Gazeta Sinjali nëse ai ka ndikuar në përzgjedhjen e tyre, Susuari ka thënë se kjo është një gënjeshtër dhe sulm ndaj tij e familjes së tij.

Jeronim Susuri, drejtori i gjimnazit “Gjon Buzuku”

“E gjithë ajo që pash në postimin e Ilir Baldedajt dhe nëpër disa portale është gënjeshtër dhe sulm ndaj meje dhe familjes sime“, ka thënë Susuri për Gazetën Sinjali.

Madje, ai ka paralajmëruar se nesër do të ngreh padi kundër Baldedajt.

Lidhur me këtë çështje Gazeta Sinjali ka dërguar pyetje edhe në adresë të drejtoreshës së Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Prizren, Xhemile Vezgishi, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, nuk ka pranuar përgjigje./Gazeta Sinjali/