Polonia synon marrëdhënie sa më të ngushta diplomatike me Mbretërinë e Bashkuar, me fokus të veçantë në mbrojtjen kundër Rusisë, ka deklaruar të mërkurën kryeministri polak Donald Tusk, para nisjes për në Londër.
Sipas qeverisë britanike, Britania dhe Polonia pritet të nënshkruajnë të mërkurën një traktat të ri për mbrojtje dhe siguri, me qëllim forcimin e bashkëpunimit përballë kërcënimeve në rritje në Evropë. Marrëveshje të ngjashme Britania ka nënshkruar edhe me Francën dhe Gjermaninë.
Edhe pse të dy shtetet janë tashmë aleatë të afërt, kryeministri britanik Keir Starmer deklaroi të martën se “sfidat me të cilat përballet Evropa tani kërkojnë një partneritet edhe më të fortë”.
Kontinenti evropian ka qenë nën presion nga administrata e presidentit amerikan Donald Trump për të marrë më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e vet, shkruan Reuters. Polonia dhe Britania konsiderohen gjithashtu aleatë kyç të Ukrainës në luftën kundër Rusisë.
“Të dyja palët theksojnë se Rusia është një kërcënim strategjik, gjithashtu afatgjatë, për Poloninë, për Britaninë e Madhe, për NATO-n, dhe për këtë arsye bashkëpunimi ynë duhet të përqendrohet në sigurimin e Polonisë dhe vendeve të tjera kundër kërcënimit rus”, u tha Tusk gazetarëve të mërkurën.
Tusk kishte deklaruar më herët se, përveç mbrojtjes, një pjesë e rëndësishme e traktatit lidhet edhe me sigurinë kibernetike.
Zyrtarët polakë kanë thënë se roli i Polonisë si qendër për ndihmën ushtarake ndaj Ukrainës e ka bërë vendin objektiv të spiunazhit, sulmeve kibernetike dhe dezinformimit rus.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!