Autoritetet turke kanë thënë se e kanë arrestuar motrën e liderit të vrarë të ISIS-it, Abu Bakr al-Baghdadi, dhe se është duke e marrë në pyetje atë, bashkëshortin e saj dhe vajzën e tij, të cilët gjithashtu janë arrestuar.
Një zyrtar i lartë turk i tha agjencisë “Reuters” se Rasmiya Awad, 65 vjeçe, u arrestua të hënën gjatë një operacioni afër qytetit verior sirian, Azaz, i cili kontrollohet nga forcat turke. Raportohet se në momentin e arrestimit ajo ka qenë e shoqëruar nga pesë fëmijë.
“Shpresojmë se do të nxjerrim shumë informata të inteligjencës nga motra e Baghdadit sa i përket rrjetit të brendshëm të ISIS-it”, tha ky zyrtar.
Ka pak informata të pavarura në lidhje me motrën e Baghdadit dhe agjencia e lajmeve nuk ka arritur të vërtetojë nëse gruaja e arrestuar është saktësisht personi për të cilin pretendon Turqia.
Megjithatë, Fahrettin Altun, drejtor i komunikimit në zyrën e presidentit turk, tha se ky arrestim është një shembull tjetër i suksesit të operacioneve turke kundër terrorizmit.
Baghdadi e vrau veten muajin e kaluar pasi u rrethua nga forcat speciale amerikane në një tunel ku ishte duke u fshehur në veri të Sirisë. ISIS-i e ka konfirmuar vdekjen e tij dhe është zotuar se do të hakmerret kundër Shteteve të Bashkuara.
Ky grup njoftoi se në pozitën e liderit tashmë e ka caktuar një person të quajtur Abu Ibrahim al-Hashimi al-Qurayshi, shkruan “The Guardian”