Thomas Tuchel ka dhënë intervistën e parë si trajneri më i ri i Bayern Munich.
Tekniku gjerman nënshkroi dje një kontratë 2-vjeçare e gjysmë me bavarezët, e vlefshme deri në qershor 2025.
Ai zëvendësoi Julian Nagelsmann, i cili u largua me efekt të menjëhershëm nga Bayerni.
Në intervistën e parë të tij, Tuchel ka thënë se e ka pranuar shpejt ofertën, pasi në ADN-në e Bayernit është të fitosh gjithçka.
“E pranova shpejt, ADN-ja e Bayernit është e gjitha për të fituar. Jam i bindur nga projekti dhe është një nder të kontaktohesh nga FC Bayern. Kur firmos kontratën, është një nder i madh”, deklaroi ai.
Tuchel është shprehur se ata mund t’i fitojnë të gjithë titujt këtë sezon, por nuk e kishte menduar se do të rikthehej në Gjermani.
“Ne mund t’i fitojmë të gjithë titujt. Gjërat shkuan shpejt. Koha ishte befasuese, nuk e prisja dhe nuk kishte asnjë kontakt më parë. Mendova se do të vazhdoja karrierën time jashtë vendit”, shtoi gjermani.
Tutje Tuchel ka deklaruar se Bayerni ka një skuadër me ato cilësi dhe thellësi që do të ishin të aftë të fitonin edhe titullin e Premier League.
“Bayerni ka një skuadër që do të luante për titullin në Premier League, në cilësi dhe në thellësi. Në Angli dhe Paris, ata e vlerësojnë jashtëzakonisht shumë Bayernin. Askush nuk dëshiron të luajë kundër Bayern Munichut.
“Madhësia, forca e klubit është e padiskutueshme”, ka përfunduar Tuchel.