image Tsai Ing-wen: Tajvani, rruga që ndoqëm për ta mundur pandeminë

Botë

OP-ED/ Tsai Ing-wen: Tajvani, rruga që ndoqëm për ta mundur pandeminë

news image

Nga Tsai Ing-wen

Tajvani është një ishull i rezistencës. Shekuj me vështirësi e kanë detyruar shoqërinë tonë të përballojë, përshtatet dhe mbijetojë rrethana të vështira prove. Ne kemi gjetur mënyra për të qëndruar fort së bashku si komb në periudha të vështira. Edhe pandemia COVID-19 nuk qe ndryshe. Megjithë natyrën shumë infektuese të virusit dhe afërsinë e vendit tonë me burimin e tij, ne parandaluam një shpërthim të madh. Deri më 14 Prill, ne kemi pasur më pak se 400 raste të konfirmuara.

Ky sukses nuk është rastësi. Një kombinim i përpjekjeve të profesionistëve të mjekësisë, qeverisë, sektorit privat dhe shoqërisë në përgjithësi e kanë blinduar mbrojtjen e vendit tonë. Mësimet e dhimbshme të shpërthimit të SARS-it në 2003, të cilat shaktuan në Tajvan humbjen e dhjetëra jetëve, i vunë qeverinë dhe njerëzit tanë në gatishmëri të lartë që herët.

Dhjetorin e kaluar, kur indikacionet për një sëmundje të re ngjitëse të frymëmarrjes filluam të shfaqen në Kinë, filluam të monitorojmë pasagjerët që vijnin nga Wuhani. Në janar ngritëm Qendrën Kombëtare të Komandës së Epidemisë për të trajtuar masat parandaluese. Ne prezantuam kufizimet në udhëtime dhe vendosëm protokollet e karantinës për udhëtarët me rrezik të lartë.

Pas zbulimit të personit të parë të infektuar në Tajvan më 21 janar, ne ndërmorëm përpjekje të rrepta hetimore për të gjurmuar historinë e udhëtimit dhe kontaktit për çdo pacient, duke ndihmuar në izolimin dhe kontrollimin e përhapjes së infeksionit përpara se të ishte e mundur shpërthimi i një epidemie në masë. Përveç përpjekjeve të palodhshme të profesionistëve tanë të shëndetit publik, të kryesuar nga Ministri i Shëndetësisë Chen Shih-chung, qytetarët tanë të informuar kanë bërë pjesën e tyre. Bizneset private, ekskluzivitetet dhe bashkësitë e apartamenteve inicuan masa për monitorimin dhe dezinfektimin personal, duke iu bashkëngjitur përpjekjeve të qeverisë për të bërë të njëjtën gjë në hapësirat publike.

Për të parandaluar panikun, që në fazë të hershme qeveria monitoroi kërkesat e tregut për mallra dhe mori përsipër prodhimin dhe shpërndarjen e maskave të nivelit mjekësor. Me bashkëpunimin e privatëve dhe kompanive të furnizimit mjekësor, Ministria e Ekonomisë koordinoi linja shtesë prodhimi për maska kirurgjikale, duke shumëfishuar kapacitetin e prodhimit.

Mbështetur nga ekspertë të teknologjisë, farmacitë dhe dyqane të tjera, ne hartuam një sistem për shpërndarjen e maskave sipas nevojave. Këtu, maska janë të disponueshme dhe të përballueshme si për spitalet ashtu edhe për publikun e gjerë. Përpjekjet e përbashkëta të qeverisë dhe ndërmarrjeve private – një partneritet që ne e quajtëm “Ekipi për Tajvanin” – gjithashtu na mundësoi të dhuronim furnizime për vendet me gjendje më të rëndë.

Tajvani ka një nga sistemet më të mira të kujdesit shëndetësor në botë, aftësi të forta kërkimore dhe informacione transparente që ne i ndajmë në mënyrë aktive me publikun dhe organizmat ndërkombëtare. Në të vërtetë, Tajvani ka menaxhuar në mënyrë efektive krizën e koronavirusit brenda kufijve. Megjithatë, në nivel global, COVID-19 është një katastrofë humanitare që kërkon përpjekjet e përbashkëta të të gjitha vendeve. Edhe pse Tajvani, padrejtësisht nuk është pjesë e OBSH dhe OKB, ne mbetemi të gatshëm dhe të aftë të përdorim pikat tona të forta të prodhimit, si për ilaçe ashtu edhe për mjete të tjera dhe teknologji për të ndihmuar botën.

Krizat globale testojnë strukturën e bashkësisë ndërkombëtare, duke na kërcënuar të na përçajnë. Tani më shumë se kurrë, çdo lidhje në rrjetin global duhet të fuqizohet. Ne duhet të lëmë mënjanë dallimet tona dhe të punojmë së bashku për të mirën e njerëzimit. Lufta kundër COVID-19 do të kërkojë përpjekje kolektive të njerëzve kudo në botë. Tajvani nuk është i huaj me vështirësitë, dhe aftësia jonë buron nga gatishmëria jonë për t’u bashkuar për të kapërcyer edhe pengesat më të vështira. Kjo, mbi të gjitha, është ajo që shpresoj se Tajvani mund ta ndajë me botën: aftësia njerëzore për të kapërcyer sfidat së bashku është e pakufishme. Tajvani mund të ndihmojë. /TIME

Tsai është Presidente e Tajvanit