image Osmani: Kosova jonë po fuqizohet gjithnjë e më shumë

Politikë

Osmani: Kosova jonë po fuqizohet gjithnjë e më shumë

news image

Presidentja Vjosa Osmani në para deputetëve të Kuvendit, ka theksuar se viti 2022 ishte një vit i rrethanave të jashtëzakonshme e rrjedhimisht, një vit i zhvillimeve sfiduese.

“Por, ajo që dua të bëj në fillim të këtij adresimi është të falënderoj qytetarët e Kosovës, bashkëqytetarët e mi, për punën e palodhur, qëndrueshmërinë e pashoq, dhe angazhimin e çdoditshëm që secila ditë të jetë më e mirë se tjetra”, theksoi Osmani.

Osmani më tej tha se të gjithë qytetarët janë angazhuar për ta bërë këtë vend më të mirë.

E para e vendit tha se është ai taksisti që punon përtej orarit për të mbajtur familjen e tij. Është mësuesja e shkollës që me mjeshtëri edukon një gjeneratë të tërë dukë dhënë mësim në një klasë të stërmbushur. Është infermierja që sakrifikon gjumin e natës për shëndetin tonë kolektiv, është pronarja e biznesit të vogël në një cep të lagjes që kryelartë zhvillon aktivitetin biznesor përkundër parametrave ekonomik që aktualisht nuk janë fort të favorshëm. Është një mozaik kaq i larmishëm i individëve që realisht janë heronjtë tanë të përditshëm.

“Janë njerëzit ata që i bëjnë shtetet dhe jo anasjelltas. Janë qytetarët tanë që na konfirmojnë çdo herë se kur krijohen kushtet e duhura dhe garantohen platforma adekuate, suksesi është pothuajse përherë i sigurt. Këtë na e keni dëshmuar me arritjet tuaja në art, sport, shkencë e kudo tjetër”, tha Osmani.

Presidentja theksoi më tej se nga viti në vit, Kosova jonë me ju dhe përmes jush fuqizohet gjithnjë e më shumë.

/GazetaSinjali/