Pasi bëri të vetën edhe Superkupën e Evropës, falë një triumfi 6-5 me penallti ndaj Sevillas, Chelsea rikthehet të mendojë sërish për merkaton, pasi Abramovich duket i bindur t’i plotësojë më së miri dëshirat e trajnerit Thomas Tuchel.
Kështu mbrëmjen e djeshme në Londër ka mbërritur për të tretën herë Romelu Lukaku, i cili këtë herë vjen më i pjekur dhe me shumë më tepër eksperiencë, gati për të udhëhequr repartin e avancuar të kampionëve të Evropës.
Objektivi i radhës i “bluve të Londrës” është blerja e një qendërmbrojtësi, pasi vitet mbi supet e brazilianit Thiago Silva nuk japin shumë garanci për të përballuar një sezon intensiv dhe për këtë arsye drejtuesit kanë hedhur sytë nga Joules Kounde.
Francezi 22-vjeçar është rritur te Bordeaux, ku edhe debutoi si profesionist, ndërsa prej dy sezonesh luan si protagonist me klubin e Sevillas në La Liga dhe ka një klauzolë prishjeje të kontratës prej 80 milionë eurosh.
Natyrisht që londinezët nuk janë gati të paguajnë një shifër të tillë dhe janë ulur në negociata me andaluzianët, të cilët nga ana tjetër kanë propozuar një këmbim me francezin tjetër Kurt Zouma dhe një shifër prej rreth 35 milionë eurosh.
Kjo është edhe pika ku palët takohen më së miri, pasi Tuchel nuk e sheh si titullar Zouma dhe do të pranonte me qejf largimin e tij, por ky i fundit ka refuzuar një transferim në kampionatin spanjoll dhe po shtyn për një rikthim te West Ham United, klub ku ka luajtur edhe më herët në huazim. /Gazeta Sinjali Sporti/