Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Sindikata e Administratës Publike dhe ajo e Policisë pas një takimi që kanë pasur gjatë ditës së sotme, kanë paralajmëruar veprime sindikale.
Këto veprime sipas tyre do të merren për shkak të draft-ligjit për pagat.
Sindikatat kanë shprehur shqetësimet e tyre, duke treguar edhe vërejtjet që kanë për këtë draft-ligj.
“Janë takuar sot përfaqësuesit e SBASHK-ut, të Sindikatës së Administratës Publike dhe ata të Sindikatës së Policisë për të bashkëbiseduar për situatën e krijuar pas qarkullimit të një versioni të Projektligjit të pagave. Ata kanë treguar për shqetësimet e anëtarësisë që përfaqësojnë duke përsëritur qëndrimet dhe vërejtjet lidhur me Projektligjin për paga. Përfaqësuesit e të tri këtyre Sindikatave janë shprehur se në pritje të takimeve me Ministritë gjegjëse kanë ngritur grupe punuese duke përgatitur propozime konkrete e të argumentuara , të cilat do t’i prezantojnë. Përfaqësuesit e këtyre tri sindikatave kanë shprehur pakënaqësi të shumta ndaj versionit të Projektligjit që është duke qarkulluar dhe janë pajtuar që në fillim të javës së ardhme BSPK-ja të organizojë tryezë tematike me pjesëmarrjen e të gjitha Sindikatave për të debatuar për situatën aktuale në të gjithë sektorët dhe për të koordinuar aktivitetet dhe veprimet sindikale”, thuhet në komunikatën për medie nga SBAShK-u.