Janë bërë tri ditë që kur një person shtiu disa herë me armë zjarri në drejtim të autobusit të kompanisë “Erblini”, i cili po qarkullonte nga Gjakova për në Deçan, duke lënë të vrarë shoferin dhe dy nxënës. Mirëpo, i dyshuari për këtë vrasje të trefishtë ndodhet ende në arrati.
Për më tepër, personi i maskuar që zbrazi automatikun mbi autobus, nuk është identifikuar akoma nga organet e sigurisë dhe hetuesisë.
Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, ka njoftuar se hetimet po kryhen në dy ose tri pista, shkruan Gazeta Sinjali.
As hetimet e as 20 mijë eurot që Qeveria e Kosovës i ka ofruar si shpërblim për këdo që jep informacione për dorasin, nuk po kryejnë punë. Autori apo autorët e këtij krimi mbesin në liri, ende të paidentifikuar nga autoritetet.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i ka bërë ultimatum të dyshuarit që të vetëdorëzohet.
Nga sulmi me armë zjarri mbi autobus të premten mbrëma, mbeti i vrarë Gani Gjokaj, shofer i autobusit dhe dy nxënës të Shkollës së Mjekësisë, Genta Mustafaj dhe Ledion Hamzaj, 16 dhe 17 vjeç, të cilëve iu dha lamtumira e fundit dje.
Ndërkohë, autobusi që u sulmua u largua nga vendi i ngjarjes sot./GazetaSinjali/