image Trendi i ikjes së profesionistëve shëndetësor, reagon Sindikata: Do të ketë kolaps nëpër klinika, Qeveria të reflektojë

Shëndetësi

Trendi i ikjes së profesionistëve shëndetësor, reagon Sindikata: Do të ketë kolaps nëpër klinika, Qeveria të reflektojë

news image

Sindikata e Punëtorëve Shëndetësor të QKUK-së nëpërmjet një komunikate të lëshuar në rrjetin social Facebook, kanë reaguar ndaj ikjes së madhe të profesionistëve shëndetësor nga QKUK, duke vënë theks të veçantë tek infermierët.

Përmes një komunikate për media ata bëjnë me dije se vetëm gjatë këtij viti janë larguar nga Kosova mbi 500 infermierë. Kurse në përgatitje që të largohen gjatë vitit 2023 janë edhe rreth 1500 infermierë.

Sindikata e konsideron shqetësuese ikjen e të gjithë profesionistëve shëndetësor, duke i bërë thirrje Qeverisë dhe Ministrisë, që të reflektoj dhe të ofrojnë kushte për punë dhe rritje pagash.

Komunikata e plotë:

Sindikata e Punëtorëve Shëndetësor të QKUK-së është duke e përcjellur me shqetësim të madh ikjen e profesionistëve shëndetësor nga QKUK, e në veçanti të infermierëve.

A.G., L.I., G.S., K.D., V.I., G.K., janë vetëm disa nga mbi 500 infermierëve të larguar nga Kosova vetëm gjatë këtij viti. Ndërsa në përgatitje që do të largohen gjatë vitit 2023 janë rreth 1500 infermier. Padyshim që meritojnë një vëmendje institucionale, mirëpo edhe përpjekje serioze dhe maksimale për ta ngadalësuar këtë trend, duke ofruar kushtet për punë por edhe ngritje pagash.

Janë pikërisht infermierët e Mjekimit Intenziv, Teknikët e Anestezionit, Istrumentaret, infermierët e Qendrës Emergjente, ndërsa në përgjithësi infermierët kualitativ dhe me eksperiencë ata që po targetohen dhe rekrutohen nga punëdhënësit e huaj, ndërsa ikja e tyre do i vendoste para kolapsit total secilën nga këto klinika të lartpërmendura, pasi janë pikërisht këta profesionist që i mbajnë këto klinika “Up and Running”, pavarësisht mungesës së mjekëve.

Roli i tyre është kyç në funksionimin normal të punës.

Andaj në vend të presionit, shtypjes, degradimit personal dhe profesional, të krijohen kushte të sigurta dhe më të mira pune, të respektohen këta profesionist dhe roli i tyre, t’u njihet puna dhe angazhimi si dhe të respektohen si profesionist shëndetësor, të mos zhvendoset fokusi i tyre nga kujdesi për qytetarin në fushën administrative dhe korrieri.

Urojmë që Qeveria, Ministria përkatëse të reflektoj, ndërsa urojmë që edhe nga këta profesionist mos të largohen nga Kosova, sepse atëherë do shihet vërtetë kolapsi në këto klinika, ndërsa të njejtit nuk ka mundësi të zëvendësohen, pasi një profesionist i tillë nuk krijohet mbrenda muaji, e në anën tjetër qytetarët do e pësojnë më së shumti.

Të shërbejmë nga pozicionet tona, mos të sundojmë dhe mos të ndajmë privilegje brenda komuniteteve.

Privilegj ka vetëm qytetari dhe pacienti i cili kërkon shërbimet tona.

Kryesia SHSPSH-QKUK.

/GazetaSinjali/