image Ngritja e çmimeve, qytetarët kërkojnë ndërhyrjen e Qeverisë

Sociale

Ngritja e çmimeve, qytetarët kërkojnë ndërhyrjen e Qeverisë

news image

Ngritja e çmimeve të energjisë elektrike, naftës, vajit, sheqerit, miellit, por edhe shumë produkteve të tjera ushqimore në Kosovë vazhdon të jetë problem për qytetarët të cilët thonë se bizneset nuk kontrollohen nga shteti.

Ata thonë se ngritja e çmimeve në vend është bërë trend, përderisa Qeveria e Kosovës nuk po reagon.

Kryetari i shoqatës” Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, ka thënë se ekzekutivi i vendit është dashur të reagojë qysh në fillim kur ka pasur ngritje të çmimit të energjisë dhe produkteve tjera.

Kurse sa i përket ngritjes së çmimit të biletave të autobusit, ai tha se si organizatë e kanë paralajmëruar këtë dukuri që para dy javësh.

“Ne kemi reaguar qysh para dy javësh për nismën e ngritjes së çmimeve të biletave lokale, urbane dhe ndër urbane dhe këtë reagim, këtë ofshamë nuk na e dëgjoi Qeveria, nuk na e dëgjoi as Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ku bënë pjesë infrastruktura e cilësisë, departamenti dhe zyra për mbrojtjen e konsumatorit, as Ministria e Drejtësisë, as askush”.

Sipas tij, Qeveria është dashur të reagojë që në fillim, të ndikojë te energjia elektrike, të ndikojë te karburantet, të ndikojë te të gjitha llojet tjera të energjisë elektrike, edhe te çështja e gazit të ketë qenë një vendim më popullor.

“Pra meqë kjo nuk ka ndodh ,të gjithë këta shikojnë me një sy shqiponje, me sy të prehtë nëse Qeveria nuk reagon, atëherë këta reagojnë dhe ja që zinxhiri, pra pas naftës, pas energjisë elektrike, pas gjithë kësaj buje, është bërë trendi ngritja e çmimeve, ne kemi një stampeto të pandalshme dhe kjo stampeto e pandalshme kam frikë se është ka i del nga dora Qeverisë”.

Kurse, Fadil Berjani, kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, në një përgjigje për KP, ka thënë se ngritja e çmimit të naftës nuk ka të bëjë më ngritjen e çmimeve të gjërave të tjera.

“Çmimet në Kosovë sot sillen dizelli 1.18 deri 1.26 benzina 1.22 deri 1.31. Çmimin e përcakton berza dhe organizata prodhuese OPEC. Kur kemi reduktim të prodhimit, çmimet rriten”, tha ai.

Sa i përket çmimit të biletave të autobusit ai ka thënë se ndikon edhe rritja e çmimit të naftës, por sa i përket rritjes të çmimit të gjërave ushqimore, sipas tij nuk ka ndikim rritja e çmimit të derivateve.

Ndërkohë, për rritjen e çmimeve reaguan edhe qytetarët.

Afrim Abdullahu, tha se kjo rritje e çmimeve nuk është në rregull dhe se ekzekutivi duhet të reagojë.

“Nuk është në rregull rritja e çmimeve. Qeveria duhet me reagua, nuk është në rregull kështu. Senet ushqimore të përballueshme janë, por dikush nuk ka dhe nuk është në rregull pse me i ngrit çmimet? Bileta e autobusit, kjo, ajo, pse me rrit veç që munden. S’ka shtet kështu nuk është mirë!” ka thënë ai./GazetaSinjali/