Vaksina kundër COVID-19 pritet që të ndalojë pandeminë mirëpo duhet që të vaksinohet një numër i madh i popullsisë.
Për këtë ka folur drejtori i laboratorit për hulumtimin e sëmundjeve infektive në “Charite Universitatsmedizin” në Berlin, Andrej Trampuz.
“Deri në muajt e verës, mendoj se do të kemi vaksina kundër COVID-19 për 60 deri në 70 për qind të popullatës, që është e mjaftueshme për të ndalur pandeminë, pavarësisht nga problemet aktuale në prokurimin e tyre”, tha ai.
Ai beson se është e mundur që kompanitë që prodhojnë vaksina po përpiqen ta përdorin këtë situatë për të ardhura shtesë, gjë e cila, sipas tij, është “e pamoralshme”.
“Tani jemi në krizën më të madhe që nga Lufta e Dytë Botërore dhe duhet të bëjmë gjithçka globalisht, kështu që ata që paguajnë më shumë nuk kanë një avantazh, por duhet në të njëjtën kohë të vaksinohen njerëz kudo. Unë mendoj se mënyra e vetme është të shikohet se cilat vaksina të tjera janë në treg, të marrin ato leje për të vendosur konkurrencë midis tyre, në mënyrë që të shmanget një monopol”, thotë Trampuz.
Sipas tij, tani dihet që vaksina jep imunitet më të mirë se imuniteti që fitohet pas infeksionit me koronavirus.
“Kjo është arsyeja pse ne i këshillojmë ata që e kanë kaluar infeksionin të vaksinohen në mënyrë që të forcojnë imunitetin e tyre. Ata që janë vaksinuar me vaksinat e reja (të kompanive) Moderna ose Pfizer/BioNTech kanë, me sa dimë, të paktën një vit imunitet. Por, ndoshta do të jetë më e gjatë. A do të nevojitet imunizimi shtesë dhe kur, do të shohim nëse këta njerëz të vaksinuar infektohen përsëri. Kjo është e nevojshme për shumë infeksione virale”, shpjegon ai.
Profesori Trampuz tregon se vaksina e kompanisë britanike, AstraZeneca, që e ka zhvilluar në bashkëpunim me Universitetin e Oxford-it është 70 për qind efektive dhe madje shfaq më pak imunitet te të moshuarit. Ndërsa vaksinat e Pfizer/BioNTech dhe Modernas sigurojnë 95 për qind mbrojtje nga koronavirusi, por kanë edhe efekte të vogla anësore.