Një taksist nga Malisheva (emër i njohur për redaksinë) ka akuzuar Policinë e Kosovës se po përdorin standarde të dyfishta në shqiptimin e gjobave për shkelësit e rregullave të trafikut, raporton Gazeta Sinjali.
Ai tha për Sinjalin se sot është dënuar nga dy zyrtarë policorë, për shkak se kishte parkuar afër Stacionit të Autobusëve në Malishevë, në një vend ku nuk lejohet parkimi i veturave.
Taksisti nuk e çan kokën për dënim prej 30 eurove, të cilin e ka paguar pas 5 minutash, por për shkak të standardeve të dyfishta, të cilat pretendon se i kanë përdorur policët gjatë dënimit të tij.
Mëngjesin e sotëm, rreth orës 07:57, ai thotë se në vendin ku ka parkuar ai, kanë qenë të parkuara edhe tri taksi të tjera, por shoferët e tyre janë liruar, pasi që, sipas tij, kanë qenë familjarë me zyrtarët policorë.
“Nuk e respektojnë as qytetarin, as punëtorin dhe as taksistin. Në vendin e ngjarjes Kemi qenë katër taksista, tre i kanë falë, mu më kanë dënu. Ka qenë krejt problemi te një autobus. Autobusi e ka blloku vendin, rrugën dhe ka dalë personi zyrtar i policisë, ia ka marrë dokumenetet autobusit dhe e ka liru. I ka pa edhe tre taksista të tjerë, që i ka pasë familjarë dhe i ka liru, kurse unë kam qenë viktimë në këtë rast”, tha ai për Sinjalin.
Madje, sipas tij, personi që e ka shoqëruar zyrtarin policor që ia ka shqiptuar gjobën, ka qenë komandant i policisë.
“Është fakt që është vend i autobusave, unë nuk i iki asaj për të cilën më kanë dënu. Unë e kam pagu dënimin, gjobën. Nuk është problem ajo punë. Por, sjellja e tyre, edukata e tyre, nuk duhet bre ashtu, se jemi krejt të kësaj Republike të Kosovës, krejt e gëzojmë të drejtën me jetu në këtë republikë. Nëse, Policia e Kosovës merren me këto sene, këto po e dënoj, këtë jo, atëherë çka po na mbetë neve”, tha ai.
“Edhe po të kishin qenë policë fillestarë, në rregull, po ka qenë komandanti i policisë”, pretendon taksisti./Gazeta Sinjali/