image Tre persona nga ish-administrata e spitalit të Tetovës janë akuzuar për zjarrin ku humbën jetën 14 persona

Rajon

Tre persona nga ish-administrata e spitalit të Tetovës janë akuzuar për zjarrin ku humbën jetën 14 persona

news image

Ish-drejtori i Spitalit Klinik në Tetovë, Florin Besimi, ish-drejtori teknik dhe mjeku kujdestar akuzohen për zjarrin në qendrën modulare të COVID-it, ku humbën jetën 14 persona, njoftuan mediat lokale.

Në aktakuzën e ngritur nga prokuroria e Tetovës për atë zjarr të ndodhur më 08.09.2021, përveç të treve, po ndiqet edhe një person juridik – spitali “Tetova”, në juridiksionin e të cilit ishte qendra e djegur.

Ish-drejtori i spitalit të Tetovës, Florin Besimi, vëllai i ministrit të Financave Fatmir Besimi dhe ish-drejtori teknik akuzohen për veprën penale “vepra të rënda kundër sigurisë publike”, ndërsa mjeku kujdestar për “mos respektim të rregulloret shëndetësore gjatë epidemisë”, ndërsa për të dyja veprat akuzohet spitali.

Aktakuza në gjykatë është dorëzuar gati 10 muaj pas fillimit të hetimeve, të cilat i ka udhëhequr prokuroria e Tetovës, me ndihmën e prokurorëve të Shkupit.

Në tetor të vitit të kaluar, Prokuroria publikoi një raport të Departamentit të Kërkimeve Teknike dhe Ekspertizës Ligjore të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, sipas të cilit zjarri është shkaktuar nga një qark i shkurtër në kabllon zgjatuese të defibrilatorit të përdorur për të ringjallur pacientin në një nga dhomat e spitalit.

Mbinxehja e kabllos shkaktoi zjarr në kutinë e shpërndarjes, në të cilin përveç defibrilatorit ishte lidhur edhe një karikues celulari dhe një pajisje tjetër elektrike.

Në hetim kanë marrë pjesë edhe ekspertë dhe hetues të Policisë Federale Kriminale nga Gjermania, raporti shtatëfaqësh i të cilëve është dorëzuar në prokurori në mes të janarit.

Në qendrën modulare të COVID-it të spitalit në Tetovë, ditën e aksidentit janë shtruar 26 pacientë, prej të cilëve 14 kanë ndërruar jetë, ndërsa 12 janë evakuuar me sukses. Nga të vdekurit 12 ishin pacientë dhe dy familjarë.

/GazetaSinjali/