Një rrahje brutale ka ndodhur mëngjesin e së dielës në Mamushë, ku janë përfshirë tre tregtarë, babë e bir dhe një person tjetër. Përleshja, motivi i së cilës dyshohet te jetë vendi i pritjes, ka eskaluar në sulm dhe për pasojë dy prej tyre kanë marrë lëndime, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se të dyshuarit e përfshirë në përleshje kishin shkuar nga Podujeva në Mamushë për të shitur dru. Por aty iu doli telashe, kur filluan të shtyhen për t’i zënë vendet.
Njëri nga të dyshuarit iu kërkoi dy të dyshuarve tjerë, babë e bir, që t’ia lironin vendin, por hasi në rezistencë. Aty filloi përleshja, ku ai dhe djali i të dyshuarit tjetër pësuan lëndime trupore.
Lidhur me rastin, janë vënë në dije edhe Policia dhe Prokuroria, me ç’rast të dyshuarit janë intervistuar për veprën me të cilën ngarkohen.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Lëndim i lehtë trupor”.