image Prag dimri, këto janë çmimet aktuale të druve dhe peletit

Sociale

Prag dimri, këto janë çmimet aktuale të druve dhe peletit

news image

Në kohën kur dimri po afron, nevoja për ngrohje me dru, pelet, rrymë e forma të tjera, rritet. Por, në këtë vit edhe çmimet e tyre janë rritur. Një metër kub dru aktualisht kushton nga 75 deri në 100 euro, varësisht nga cilësia.

Kështu bëri të ditur Avni Murtezi, një nga tregtarët në vend ku dha arsyet e rritjes së çmimit të druve.

“Për ne bizneset është ngecje për 6 muaj që do të presim deri sa të pajisemi me fletpërcjellëse për prerje të druve. Pastaj është edhe fuqia punëtore. Nuk ka interesim për këtë punë. Duke parë edhe rritjen e çmimeve të karburantit, kanë ngrit edhe çmimet”, deklaroi Murtezi.

Murtezi, i cili shet edhe pelet, thotë se një ton pelet kushton deri në 700 euro. Edhe në këtë çmim thotë se kanë ndikuar shumë faktorë. “Është edhe faj i institucioneve që nuk kanë punuar me kohë në masat preventive. Masat u deshtë të merren: lejimi më i madh i mases drunore, mos të ketë import”, shtoi ai për RTK.

Qytetarët tregojnë se çfarë alternativash po përdorin për ngrohje, teksa çmimet i shohin tejet të larta. “Me dru e me pelet ngrohemi. Shtrenjtë janë të gjitha.”, tha Adem Ademi.

“Më shumë me pelet po ngrohemi. Por, nëse nuk ka rrymë edhe peleti nuk punon. Kam siguruar edhe dru por me dru po më del shumë më shtrenjtë sepse po na shesin shumë shtrenjtë”, shtoi Enver Berbatovci.

Kurse ngrohja me thëngjill, edhe pse e dëmshme për mjedisin, mbetet si alternativë, pas krizës energjetike dhe çmimeve të larta të druve dhe peletit.

/GazetaSinjali/