Dy fëmijë, të moshës 12 dhe 15 vjeç, si dhe dy të rritur kanë humbur jetën në një përplasje mes një treni dhe një minibusi shkollor në Buggenhout, në veri të Belgjikës.
Minibusi po transportonte shtatë fëmijë, një shofer 49-vjeçar dhe një shoqëruese 27-vjeçare në momentin e aksidentit, i cili ndodhi pak pas orës 08:00 sipas kohës lokale (06:00 GMT).
Zëdhënësja e policisë federale, An Berger, tha se automjeti ishte në rrugë për në një shkollë të arsimit special.

Ministri belg i mobilitetit, Jean-Luc Crucke, konfirmoi raportimet se barrierat në një kalim hekurudhor ishin të mbyllura në momentin kur ndodhi aksidenti.
Zëdhënësja e prokurorisë shtoi se pesë fëmijët e tjerë që ndodheshin në minibus janë në gjendje kritike, por të qëndrueshme në spital dhe se është hapur një hetim për rastin, raporton BBC, transmeton Sinjali.
Sipas An Berger, minibusi po lëvizte në një rrugë paralele me hekurudhën dhe më pas shoferi ka kthyer majtas në kalimin hekurudhor, në momentin kur barrierat ishin të ulura. Në atë kohë, një tren po kalonte nëpër qytetin e vogël Buggenhout dhe u përplas me minibusin.

Përplasja ishte shumë e fortë, pasi treni po udhëtonte me rreth 90 km/h (55 mph). Minibusi u përplas fillimisht me një shtyllë dhe më pas u hodh në oborrin e një shtëpie aty pranë.
Askush në tren nuk u lëndua, por një person po trajtohej për shok, sipas policisë.
Ministrja flamande e arsimit, Zuhal Demir, e cilësoi ngjarjen si “lajm zemërthyes”, duke shprehur ngushëllime për viktimat dhe familjet e tyre.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha: “Sot, Evropa mban zi me Belgjikën.”
Nga kompania hekurudhore belge Infrabel u tha se treni po ngadalësonte në momentin e përplasjes dhe se kamerat e sigurisë konfirmojnë se dritat në kalim ishin të kuqe dhe barrierat të ulura.
“Si ndodhi ky aksident, nuk e dimë. Kjo është për hetimet e policisë dhe prokurorisë,” tha zëdhënësi Thomas Baeken.
Një tjetër ministre flamande, Annick De Ridder, deklaroi se është ende herët për të folur për përgjegjësi, ndërsa kryetari i bashkisë së Buggenhout, Geert Hermans, kërkoi një minutë heshtje në nderim të viktimave.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!