Zëvendësministri i Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, Ilir Hasani, ka dhënë dorëheqje nga pozita e tij, kjo pas shpërthimit në Spitalin e Tetovës.
Ai këtë e bëri të ditur me anë të një postimi në rrjetin social Facebook duke shtuar se nuk ka asnjë lidhje me procedurat e spitalit modular.
“Në këto momente kaq të rënda për të gjithë ne, jap dorëheqje si akti më i lart moral. Edhe përkundër faktit se nuk kam asnjë lidhje me procedurat vënies së spitalit modular, edhe pse nuk kam asnjë lidhje as me pjesën organizative, dorëheqja është akti më i vogël që mund ta bëj në këto momente, për të respektuar viktimat, të lënduarit, opinionit dhe më së shumti veten. Asgjë nuk ka mbi dinjitetin!”, ka thënë Hasani.
Krahas tij dorëheqje ka dhënë edhe drejtori Ekonomik i Spitalit te Tetovës, Artan Etemi. Dorëheqja e Etemit është e treta që pas tragjedisë në Tetovë.
“Duke ndjerë dhimbjen e thellë nga tragjedia që ndodhi në qendrën modulare në Tetovë, si dhe duke qenë prezent vetë në vendin e ngjarjes, nga pamjet trishtuese që kam përjetuar duke nxjerrë edhe vetë me duart e mia kufomat e viktimave, në cilësinë e drejtorit ekonomik të Spitalit të Tetovës jap dorëheqjen time si një akt moral.”
“Qëndroj besnik në parimin se organet hetuese dhe ekspertët e angazhuar ndërkombëtar do zbulojnë arsyen e vërtetë se si erdhi deri te tragjedia që ndodhi në qendrën modulare dhe që theu zemrat tona”, ka shkruar Etemi në Facebook.
Kujtojmë se dorëheqje ka dhënë edhe drejtori i Spitalit Klinik të Tetovës, Florim Besimi./Gazeta Sinjali/