Shkaqet e aksidentit të ndodhur në afërsi të Slavonski Brodit në Kroaci, i cili la të vdekur 10 shqiptarë nga Kosova, janë duke u hetuar, raporton Gazeta Sinjali.
Stanko Smodlaka, një ekspert i trafikut rrugor në Kroaci, i cili ofron ekspertiza për Gjykatën e Splitit, ka thënë për gazetën “Slobodna Dalmacija” se janë disa shkaqe që kanë mundur të shkaktojnë aksidentin.
Sipas tij, aksidentet që ndodhin në orët e hershme të mëngjesi janë si pasojë e lodhjes.
“Aksidente si kjo, të cilat ndodhin në orët e hershme të mëngjesit, ndodhin sepse njerëzit flenë, veçanërisht nëse ngasin makinën tërë natën”, u shpreh Smodlaka, eksperti i ekspertizave të trafikut rrugor.
Ai shtoi se nëse nuk ka gjurmë në trotuar, atëherë kjo do ta përjashtonte gjithashtu mundësinë që goma të ketë shpërthyer, sepse nëse kjo do të kishte ndodhur, do duhej të kishte shenja edhe në trotuar.
“Unë nuk i di detajet e kësaj tragjedie, por nëse përcaktohet se nuk ka pasur gjurmë të frenimit dhe rrëshqitjes në rrugë, atëherë njëqind për qind shoferi ka rënë në gjumë”, theksoi Smodlaka.
Dhjetë persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë mbetën të lënduar nga aksidenti i autobusit të linjës Frankfurt-Prishtinë mëngjesin e të dielës, në afërsi të Slavonski Brodit në Kroaci./Gazeta Sinjali/