Një 42-vjeçar me origjinë shqiptare ka humbur jetën në një aksident të rëndë trafiku që ndodhi pasditen e së dielës në Bezzecca, në provincën e Trentos në Itali.
Viktima është identifikuar si Renis Domi, i cili prej vitesh jetonte në Concesio.
Sipas raportimeve të mediave italiane, Domi ishte duke drejtuar një motoçikletë të tipit “Yamaha R1”, kur u përplas ballë për ballë me një veturë “Renault Clio”, të drejtuar nga një 67-vjeçare nga Bezzecca.
Përplasja dyshohet se ndodhi në momentin kur drejtuesja e veturës po tentonte të kthehej në rrugë.
Rreth 100 metra pas 42-vjeçarit po udhëtonte edhe partnerja e tij, gjithashtu me motoçikletë, e cila ishte dëshmitare e aksidentit tragjik.
Si pasojë e lëndimeve të rënda, Domi ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes. Ndërkohë, drejtuesja e veturës është transportuar në spitalin e Trentos në gjendje të rëndë.
Në vendin e aksidentit kanë intervenuar ekipet emergjente dhe Policia Rrugore, e cila ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!