Këshilli i Bashkimit Evropian ka emëruar diplomatin gjerman Dirk Schübel në pozitën e Përfaqësuesit të ri Special të Bashkimit Evropian për Kosovën.
Schübel do ta marrë detyrën më 1 shtator 2026, me një mandat fillestar dyvjeçar. Ai do ta pasojë diplomatin estonez Aivo Orav, i cili u largua nga kjo pozitë në mars për të vazhduar angazhimin e tij diplomatik në Turqi.
Sipas njoftimit të Këshillit të BE-së, Schübel është diplomat me përvojë të gjatë në pozita të larta në Shërbimin Evropian për Veprim të Jashtëm, Komisionin Evropian dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë. Aktualisht, ai drejton Divizionin për Rusinë në EEAS.
Nga viti 2022 deri në vitin 2024, Schübel ka shërbyer si i Dërguar i Posaçëm i BE-së për Partneritetin Lindor. Më herët, ai ka qenë shef i Delegacionit të BE-së në Bjellorusi, nga viti 2019 deri më 2022, si dhe në Moldavi, nga viti 2009 deri më 2013.
Mandati i tij në Kosovë do të fokusohet në mbështetjen e një vendi të qëndrueshëm, demokratik dhe shumetnik, si dhe në avancimin e perspektivës evropiane përmes bashkëpunimit me institucionet dhe komunikimit me publikun.
Schübel do të monitorojë përparimin në fushat politike, ekonomike dhe të sigurisë, ndërsa do të angazhohet edhe për forcimin e sundimit të ligjit, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të komuniteteve joshumicë.
Ai gjithashtu do të ofrojë udhëzime politike për EULEX-in dhe do të mbështesë dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me synim forcimin e stabilitetit rajonal dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.