Njëmbëdhjetë persona kanë humbur jetën dhe 19 të tjerë janë plagosur si pasojë e një zjarri që përfshiu një qendër kujdesi për fëmijë në Algjer, kryeqytetin e Algjerisë.
Sipas Departamentit të Mbrojtjes Civile, zjarrfikësit nisën ndërhyrjen rreth orës 03:30 të së enjtes, ndërsa flakët vazhduan të ishin aktive edhe më shumë se tre orë më vonë.
Autoritetet nuk kanë bërë të ditur ende shkakun e zjarrit dhe as moshat e viktimave dhe të personave të plagosur.
Në vendngjarje, në lagjen Mohammadia të Algjerit, u angazhuan dhjetë automjete zjarrfikëse dhe 16 autoambulanca.
Gjatë operacionit, pesë persona me nevoja të veçanta u evakuuan dhe u transportuan në një vend të sigurt.
Presidenti algjerian, Abdelmadjid Tebboune, shprehu ngushëllime për viktimat, duke e cilësuar ngjarjen si një “humbje tragjike”.
Ndërkohë, kryeministri Sifi Ghrieb vizitoi dy spitale në Algjer, ku po trajtohen personat e plagosur.
Algjeria është përballur ditët e fundit me temperatura të larta dhe një numër të madh zjarresh. Sipas raportimeve, afro një mijë zjarre janë regjistruar brenda një jave, ndërsa vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 115 raste.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!