Të paktën 14 refugjatë u lënduan pas një aksidenti rrugor në orën 02:00 të mëngjesit të së hënës në autostradën Selanik-Kavala.
Të lënduarit ishin në bordin e një automjeti që po i transportonte në mënyrë të paligjshme nga Evros në brendësi të vendit.
Shoferi i mjetit ka injoruar sinjalin e policisë për ndalje dhe ka tentuar të ikë, transmeton Gazeta Sinjali.
Sipas policisë, duke ikur mjeti i mbingarkuar doli nga rruga dhe u rrëzua në një fushë, ku si pasojë mbetën të plagosur 14 burra emigrantë me origjinë sirianë.
Të lënduarit janë transportuar për në spitalin “Papanikolaou” të Selanikut, ndërsa trafikanti është shpallur në kërkim pasi ai u largua nga vendi i ngjarjes para se të mbërrinte policia./Gazeta Sinjali/