image Togeri Flamur Frrokaj përfshihet në një incident në dyqanin e tij, 4 të ndaluar nga Policia

Policia/ Togeri Flamur Frrokaj përfshihet në një incident në dyqanin e tij, 4 të ndaluar nga Policia

news image

Togeri i Policisë së Kosovës në Gjakovë, Flamur Frrokaj, dyshohet se është sulmuar fizikisht sot në një pemëtore, që sipas sinjalizuesit është në pronësi të tij. Gjithnjë sipas sinjalizuesit, Frrokaj kishte hyrë në bisedë me disa vajza, por djali që po i shoqëronte ato ishte nxjerrë për veshi jashtë nga vetë togeri. Ai ishte kthyer sërish në lokal bashkë me tre persona tjerë ku më pas dyshohet se kishte ndodhur rrahja. Por, për këtë rast, policia ka tjetër version.

I kontaktuar nga Gazeta Sinjali, Lumni Graishta, kolonel në policinë rajonale të Gjakovës, ka thënë se nuk ka të bëjë me rrahje por sipas tij, togeri Flamur Frrokaj ka qenë me veturë duke shkuar në punë dhe kishe hasur në një veturë e cila ishte futur në rrugë njëkahëshe, togeri Frrokaj i cili ishte në uniformë kishte kërkuar që ta lironin rrugën, por të njëjtin nuk kanë pranuar.

“Sipas asaj që unë kontaktova me komandantin e stacionit në Gjakovë, nuk bëhet fjalë për rrahje është një mosrespektim i urdhrit të policit. Dy automjete kanë hy në një rrugë njëkahëshe, togeri ka qenë me automjet civil por me uniformë duke shkuar në punë edhe ka kërkuar prej tyre që të kthehen, por ata nuk e kanë respektuar urdhrin e tij”, ka thënë Graishta për Gazetën Sinjali.

Sipas tij, togeri Flamur Frrokaj ka kërkuar ndihmë nga nja patrullë e policisë dhe pas intervenimit, në stacionin policor janë shoqëruar katër persona.

“Togeri ka kërkuar përforcim edhe polica kanë shkuar kanë intervenuar me një patrullë edhe katër persona janë të shoqëruar për momentin në stacionin policor por nuk lidhet me veprimtari biznesi”, ka thënë Lumni Graishta.

Se togeri Flamur Frrokaj është përfshirë në rrahje, e ka mohuar edhe Komandanti i Stacionit të Policisë në Gjakovë, Kristë Gjokaj.

Gjokaj thotë se rasti nuk ka të bëjë me rrahje, por me prishje të rendit dhe qetësisë publike.

“Nuk ka ndonjë përleshje, unë jam larg Gjakovës, por sipas informacioneve që kam marrë është një prishje e rendit publik. Dy vetura kanë hy në një rrugë një drejtimëshe dhe togerit në fjalë ka telefonuar patrullën dhe i kanë shoqëruar në stacion, ata në një farë forme i kanë kundërshtuar”, ka thënë Kristë Gjokaj.

I pyetur nga Gazeta Sinjali se a do t’i ndalohet togerit Flamur Frrokaj që të meret me hetimin e këtij rasti, Gjokaj nuk është përgjigjur. Ai ka thënë se janë procedura të brendshme të rregulluara me ligj.

“Tani rasti shkon në stacion. Nuk e di, ende janë duke u trajtuar. Jo, jo nuk e kam atë informacion që janë rreh, sipas informacioneve që kam ka pasë një farë lloj kundërshtimi që i bie prishje e rendit dhe qetësië publike. Tani ato janë procedura të brendshme sipas ligjit që i kemi të rregulluar me ligj. Kush merret, me cilat njësi merret të gjitha janë të rregulluar brenda stacionit me rregullore të policisë së Kosovës”, ka thënë Gjokaj.

Pasdite në ndërrim janë pikërisht kolegët e Togerit , i cili ishte i përfshirë në incident të cilët mbetet të shihen nëse do ta hetojnë rastin.

Kujtojmë se nuk është hera e parë që togeri Flamur Frrokaj përfshihet në incidente.  Rasti i fundit ishte kur Flamur Frrokaj u suspendua për shkak të arratisjes së një personi nga Stacioni i Policisë në Gjakovë por është kthyer përsëri në detyrë.

Gazeta Sinjali ka provuar që të kontaktoj me togerin Flamur Frrokaj, por sipas Komandantit të Stacionit të Policisë në Gjakovë nuk është e lejuar që Frrokaj të prononcohet për media.

“Nuk ka kompetencë për prononcim ai. Aq më pak kur është vetë i përfshirë në rast”, ka thënë Kristë Gjokaj. /Gazeta Sinjali/