image Time Kadrijaj jep detaje rreth intervistës nga prokurorët e Speciales

Kosovë

Gjykata Speciale/ Time Kadrijaj jep detaje rreth intervistës nga prokurorët e Speciales

news image

Ish pjesëtarja e UÇK-së, Time Kadrijaj, e cila gjatë luftës ka shërbyer si mjeke në zonën e Dukagjinit, sot është intervistuar nga prokurorët e Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale në Prishtinë, në cilësinë e dëshmitares.

Për Gazetën Sinjali, Kadrijaj ka thënë se ajo është marrë në pyetje vetëm për veprimtarinë e saj gjatë luftës dhe shërbimin e saj si mjeke.

“Sot iu kam përgjigjur ftesës së Gjykatës, prej orës 11:00 ka  filluar intervistimi.   Pyetjet që më janë drejtuar janë pyetje që kanë të bëjnë me punën, me veprimtarinë time gjatë periudhës së UÇK-së,  ku unë kam dëshmuar se mjekët e UÇK kanë bërë një punë humanitare të mrekullueshme, duke shpëtuar jetën e mijëra luftëtarëve të UCK-së, por edhe të popullatës civile edhe pse në kushte të vështira dhe fushore, gjithë ata mjekët që janë angazhuar kanë dhënë kontributin maksimal” ka thënë Kadrijaj për Gazetën Sinajli.

Ajo ka theksuar se trajtimi që i kanë bërë prokurorët gjatë intervistimit, ka qenë korrektë.

“Trajtimi i prokurorëve ka qenë shumë korrekt, njerëzit që më parë unë i kam pyet nuk e kanë thanë, por kanë qenë shumë korrekt”, tha Kadrijaj.

Ish pjesëtarja e UÇK-së, thotë se pavarësisht që Kosovës i është bërë e padrejtë me Gjykatën Speciale, ajo është krenare që ka qenë pjesë e UÇK-së.

“ Formimi i kësaj gjykate është e padrejtë sepse po mundohet me barazu krimin që ka bërë Serbia me luftën e drejtë të UÇK-së. Një gjykatë e tillë është dashtë të formohet në Beograd dhe jo në Kosovë. Vetë ftesa që i bëhet një mjeke ka qenë e pakuptimtë, por megjithatë është obligim ligjor të cilit iu kam përgjigj. Do ta potencoj gjithë jetën që jam krenare që kam qenë pjesë e UÇK-së dhe që e kam dhanë kontributin maksimal në shërimin e të plagosurve dhe popullatës civile dhe besojë që nuk ka gjykatë që mundet me e gjykua luftën e drejtë të UÇK-së”, ka theksuar Kadrijaj.

Kadrijaj ka thënë se nuk pret që të ftohet edhe një herë për intervistim nga Gjykata Speciale.

Intervistimi i saj në Prishtinë është bërë për shkak të mungesës së vizës për të udhëtuar në Hagë.

Ndryshe, nga Gjykata Speciale deri më tani janë intervistuar dhjetëra pjesëtarë e eprorë të UCK-së, në cilësinë e dëshmitarëve dhe të dyshuarve, në mesin e tyre edhe kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj.  /Gazeta Sinjali/