Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, i ka thënë kryeministrit Kurti se qeveria e tij ka abuzuar me shpronësimet e rrugëve.
Kadrijaj në seancën plenare të Kuvendit e ka pyetur kryeministrin se a është i njëjti komision që ka bërë shpronësimet sikur në qeverinë Haradinaj.
“Keni abuzuar me procesin e shpronësimeve kryeministër, në qeverinë Kurti 1 dhe Kurti 2, unë e kam listën. A janë të njëjtit njerëz që e kanë bërë në qeverinë Haradinaj a është i njëjti komision, ju se bëni këtë si kryeministër, a janë të njëjtit njerëz në komision”, ka thënë ajo.
Kryeministri Kurti në kundër replikë ka thënë se drejtori i komisionit s’është më i njëjti dhe pagesat e shpronësimeve i kanë kryer pavarësisht se qeveritë tjera kanë hyrë në obligime.
“Ne kemi bërë më shumë anulime të shpronësimeve sesa shpronësime sepse dëshirojmë ta zhvillojmë vendin, drejtori s’është më i njëjti, dhe kosto përfundimtare për vitin 2020 ka qenë 5.6 milionë euro, ndërsa ne e kemi bërë pagesën në vitin 2021 , 1 milionë euro, pra qeveritë e kaluara kanë hyrë në obligime financiare dhe ne i kemi zhbllokuar pronësimet në rrugën Mitrovicë-Prishtinë dhe rrugën Podujevë-Besi e kështu do të vazhdojmë edhe më tutje”, tha ai.