image Thirrja e SHBA-së për gazin amerikan, ish-opozita kritikon VV: Vendimi skandaloz i 2021 e la Kosovën në errësirë

Politikë

Thirrja e SHBA-së për gazin amerikan, ish-opozita kritikon VV: Vendimi skandaloz i 2021 e la Kosovën në errësirë

news image

E ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, Anu Prattipati, i ka bërë thirrje Kosovës që të hyjë në partneritet afatgjatë energjetik me Shtetet e Bashkuara përmes projektit për gazin e lëngshëm natyror (LNG), duke vlerësuar se kjo do të ndihmonte në sigurimin e të ardhmes energjetike të vendit.

Sipas saj, administrata e presidentit Donald Trump e ka prioritet uljen e varësisë së Evropës nga energjia ruse.

“Ne e nxisim Kosovën të hyjë në partneritet afatgjatë energjetik me Amerikën përmes LNG-së për të siguruar të ardhmen e saj energjetike. Së bashku, ne mund të forcojmë sigurinë energjetike dhe t’i rrisim ekonomitë tona krah për krahu”.

Deklarata e Prattipatit ka nxitur reagime nga partitë politike që në legjislaturën e 10-të të Kuvendit të Kosovës ishin në opozitë.

Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ritheksoi zotimin e tij për ta lidhur Kosovën me projektet e gazit amerikan, duke e cilësuar partneritetin strategjik me SHBA-në si jetik për vendin.

Sipas tij, Kosova nuk mund të vazhdojë të paguajë koston e “refuzimeve ideologjike dhe mungesës së vizionit”, ndërsa theksoi se çdo vit i humbur rrit varësinë nga importet e shtrenjta të energjisë dhe tregjet e jashtme.

Hamza vlerësoi se përfshirja në projektet e gazit amerikan do të sillte më shumë siguri energjetike, investime të reja, ulje të ndotjes dhe energji më të përballueshme për qytetarët dhe bizneset. Ai shtoi se Kosova duhet të veprojë pa vonesa dhe të mos presë kriza të reja energjetike apo rritje të tjera të çmimeve.

Nga ana tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës e cilësoi qëndrimin e SHBA-së si një mesazh të qartë për sigurinë dhe të ardhmen strategjike të Kosovës.

Në një deklaratë të përbashkët, kandidatja e LDK-së për presidente, Vjosa Osmani, dhe kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku, theksuan se çështja e gazit amerikan nuk është vetëm ekonomike, por lidhet drejtpërdrejt me sigurinë kombëtare dhe pozicionimin gjeopolitik të Kosovës.

Sipas tyre, siguria energjetike është pjesë e sigurisë kombëtare, ndërsa Kosova gjatë viteve të fundit është larguar nga projektet strategjike energjetike, duke shpenzuar mbi një miliard euro për import të energjisë elektrike.

LDK paralajmëroi se Kosova rrezikon të mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor jashtë korridoreve strategjike të gazit amerikan dhe jashtë arkitekturës së re energjetike e të sigurisë që po ndërtohet në rajon.

Osmani dhe Abdixhiku argumentuan se alternativa ndaj integrimit në projektet energjetike amerikane është rritja e varësisë nga burime dhe ndikime të tjera gjeopolitike, përfshirë ato ruse.

Sipas deklaratës, në rast se LDK merr drejtimin e institucioneve, sjellja e gazit amerikan në Kosovë do të jetë një nga prioritetet që do të zbatohet që në fillim të mandatit.

Reagim pati edhe nga kandidati i AAK-së për kryeministër, Ardian Gjini, i cili tha se deklarata e Prattipatit për gazin amerikan nuk është thjesht një statistikë.

“Deklarata e Prattipatit për Gazin Amerikan nuk është thjesht një statistikë e frikshme, është dëshmia e gjallë e një krimi ekonomik dhe gjeostategjik kundër Republikës së Kosovës”.

Sipas Gjinit, AAK-ja e ka ditur që nga dita e parë se projekti i Gazit Amerikan do ta ndryshonte rrënjësisht fatin ekonomik dhe sigurinë kombëtare të Kosovës.

“Ne e kishim jetësuar dhe projektuar këtë si projektin më të madh të shekullit. Por, paranoja ideologjike dhe vendimi skandaloz i qeverisë në ikje, në vitin 2021 për ta bllokuar këtë projekt strategjik, e la Kosovën në errësirë, të izoluar dhe të varur tërësisht nga vendet e rajonit”, ka shtuar ai.

Gjini theksoi se qëndrimi i AAK-së për Gazin Amerikan mbetet i pandryshuar.

“Ky projekt është shtylla kryesore e planit tonë qeverisës, njëjtë siç kishte qenë edhe atëherë kur e kishim sjellë në Kosovë, falë miqve tanë ndërkombëtarë”.

Ai foli edhe për planet e AAK-së në këtë drejtim.

“Plani ynë parashesh zhbllokim të menjëhershëm të projektit të gazsjellësit Shkup-Prishtinë. Do t’i bashkohemi menjëherë projekteve të gazit natyror nëpër Ballkan për të siguruar pavarësinë tonë energjetike. Siguria energjetike është siguri kombëtare. Epoka e mashtrimit dhe izolimit përfundon më 7 qershor. Kosova do t’i kthehet zhvillimit dhe aleancës së shenjtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës!”.

Kosova vazhdon të mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk është përfshirë në projektet që zgjerojnë ndikimin energjetik të SHBA-së në rajon.

Ndërkohë, gjatë javëve të fundit, SHBA-ja dhe kompani amerikane kanë nënshkruar marrëveshje miliardëshe me disa vende të Ballkanit Perëndimor për zgjerimin e bashkëpunimit energjetik, ndërsa Kosova nuk ka qenë pjesë e këtyre investimeve.

Në iniciativa të rëndësishme janë përfshirë Shqipëria, Kroacia dhe Bosnje e Hercegovina, përfshirë edhe një projekt të madh për ndërtimin e një tubacioni gazi që synon ta shkëpusë Sarajevën nga furnizimet ruse.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/