Një përleshje mes disa personave ka ndodhur mbrëmë rreth orës 20:45 në rrugën ‘Galip Badiviku’ në Vushtrri, ku përpos grushteve janë përdorur edhe mjete të mprehta. Si pasojë e kësaj, dy persona kanë mbetur të plagosur pasi dyshohet se u therën me thikë nga tre persona tjerë, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës kanë bërë me dije se dy të rinj të moshave 18 dhe 19-vjeç, kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të plagëve të marra të nga thika. Për shkak të natyrës së lëndimeve, dy të lënduarit janë dërguar me autoambulancë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtutjeshëm.
Për rastin është njoftuar edhe Policia, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.
Personat e dyshuar nuk janë identifikuar ende, teksa po vazhdojnë kërkimet për ta nga Policia.
Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Lëndim i lehtë trupor’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.
Ndërkohë në rrjete sociale është publikuar një video nga një përleshje me thika që ka ndodhur në Vushtrri, e që dyshohet se është e rastit të mësipërm.