Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka takuar sot krerët e institucioneve të sigurisë e të drejtësisë, drejtorin e Policisë Rashit Qalaj, kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumezi, dhe drejtorin e AKI-së, Shpend Maxhuni, me të cilët ka biseduar për gjendjen e sigurisë në prag të zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë, raporton Gazeta Sinjali.
Thaçi është shprehur se Kosova ka ndërtuar traditë të zgjedhjeve të lira e demokratike, vlerësoi procesin e deritanishëm si të mirë dhe pa incidente që do të cenonte procesin elektoral.
“Jam i sigurt se edhe këto zgjedhje do të jenë të lira e demokratike”, u shpreh presidenti Thaçi.
Drejtori Qalaj e njoftoi presidentin se Policia e Kosovës është në gjendje gatishmërie dhe është në koordinim të plotë me institucionet e tjera për të garantuar siguri të plotë në ditën e zgjedhjeve, me vëmendje të veçantë në Qendrat e Votimit.
Kryeprokurori Lumezi njoftoi se do të ketë prokurorë në gjendje gatishmërie në çdo qendër rajonale, në tërë Kosovën, si dhe koordinim me të gjitha institucionet që të reagohet menjëherë nëse për këtë do të shfaqet nevoja.
Ndërsa, drejtori Maxhuni i AKI-së njoftoi se Agjencia vazhdon të monitorojë gjendjen dhe të vlerësojë kërcënimet për sigurinë.
Sipas një kounikate të Presidencës, udhëheqësit e institucioneve të sigurisë dhe të drejtësisë njoftuan se kanë formuar një Qendër koordinimi të përbashkët për të shpejtuar shkëmbimin e informatave, për të koordinuar veprimin dhe për të reaguar me kohë në çdo situatë. /Gazeta Sinjali/