image Thaçi: Si shtet jemi duke punuar të gjithë së bashku që ta menaxhojmë koronavirusin

Kosovë

Siguri/ Thaçi: Si shtet jemi duke punuar të gjithë së bashku që ta menaxhojmë koronavirusin

news image

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se të gjitha institucionet kompetente për ta menaxhuar koronavirusin janë duke punuar me përpikëri.

Thaçi përmes një postimi ne Facebook ka thënë se po punojnë të gjithë së bashku që t’i shtojnë kapacitetet mjekësore, ta ruajnë furnizimin me ushqime dhe materiale sanitare, po ashtu t’i ruajnë punëtorët dhe bizneset.

Postimi i tij i plotë:

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike është duke e menaxhuar gjendjen dhe kufizuar përhapjen e virusit COVID-19.

Policia është duke e kryer me përpikëri punën e vet dhe duke e ruajtur rendin dhe qetësinë publike.

Forca e Sigurisë së Kosovës është në gjendje gatishmërie me të gjitha kapacitetet e veta mjekësore dhe logjistike për të ndihmuar në tejkalimin e rrethanave të krijuara nga virusi COVID-19.

Rolin kryesor tani e kanë qytetarët.

Të kujdesemi për higjienën tonë. Ta ruajmë distancën fizike mes nesh. Të dalim nga shtëpitë vetëm kur kjo është e domosdoshme. Këto ditë janë kritike për ta kufizuar përhapjen e COVID-19 dhe për t’i lejuar kapacitetet ekzistuese që të përballen me rastet që paraqiten.

Si shtet jemi të përgatitur dhe po punojmë të gjithë së bashku që t’i shtojmë kapacitetet mjekësore, ta ruajmë furnizimin me ushqime dhe materiale sanitare, të ndërmarrim masa dhe t’i ruajmë punëtorët dhe bizneset, të cilat duhet të ndihmohen me politika lehtësuese në muajt e ardhshëm.

Së bashku do të tejkalojmë edhe këtë sfidë! HTH /Gazeta Sinjali/