Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, shkruan se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka keqpërdorur Policinë e Kosovës, pasi sipas tij ka urdhëruar që të gjithë qytetarët e Shqipërisë që hyjnë në territorin e Kosovës, përpos vonesave procedurale, të dërgohen shtatë ditë në karantinë për të pritur testimin për COVID-19.
Sipas presidentit, procedurave nuk po i nënshtrohen ata që po hyjnë nga Serbia. Ai shprehet se nga Serbia po hynë kushdo si në ‘bahçe të babës’.
Postimi i tij i plotë:
“Albin Kurti derisa ka hapur krahë më krah kufirin me Serbinë, për të hyrë kushdo, pa asnjë procedurë si në bahçe të babës, ai nga zyra e uzurpuar sot ka urdhëruar dhe keqpërdorur Policinë e Kosovës. Ai padrejtësisht dhe kundërligjshëm sot ka urdhëruar policinë që të gjithë qytetarët e Shqipërisë që hyjnë në territorin e Kosovës, përpos vonesave procedurale, të dërgohen shtatë ditë në karantinë për të pritur testimin për COVID-19. Po ashtu, me veprime shtesë, ai ka urdhëruar që automjetet transportuese që hyjnë nga territori i Shqipërisë në emër të dezinfektimit të ngarkohen me taksë të veçantë, duke rënduar edhe më shumë lëvizjen e lirë dhe qarkullimin e mallrave.
Ky është absurditet! Hapet me Serbinë dhe e mbyllë Kosovën nga Shqipëria. I heq taksën Serbisë dhe ia vë Shqipërisë.
Ky është predikuesi i bashkimit kombëtar! Në fakt, këto veprime janë shqelmat e fundit të Kurtit nga zyra e uzurpuar! HTH”.
Pak më parë Gazeta Sinjali duke u mbështetur në informacionet e sinjalizuesve, raportoi se në kufirin me Shqipërinë janë krijuar kolona të gjata si pasojë e procedurave të vendosura nga Qeveria në detyrë. Ndërsa, sipas sinjalizuesve nga vendi i ngjarjes në pikat kufitare me Serbinë, ata që po hyjnë nuk po kontrollohen nga askush. /Gazeta Sinjali/