Një tërmet me magnitudë 5.8 tronditi Pakistanin lindor duke shkaktuar të paktën 4 të vdekur dhe plagosur 70 të tjerë bëjnë të ditur zyrtarët. Epiqendra e tërmetit ishte afër qytetit Mirpur.
Fotot që qarkullojnë nëpër rrjetet sociale tregojnë çarje të mëdha të rrugëve dhe shtëpi të shkatërruara. Tërmeti ishte me thellësi 10 km thotë shefi i meteorologjisë në Pakistan, Muhammad Riaz për AFP. Ushtria e Pakistanit informoi se në vendngjarje kanë mbërritur ndihma mjekësore.
Lëkundje janë ndjerë edhe në kryeqytetin e Pakistanit dhe të Indisë. Edhe Shqipëria u trondit të shtunën e kaluar nga një tërmet me magnitudë 5.8 gradë të shkallës Richter dhe intensitet 7.5 ballë.
Ai u pasua nga të paktën 400 pasgoditje me një intensitet më të ulët. Kryesisht në Tiranë e Durrës pati qindra banesa të dëmtuara, dhjetra të lënduar, por fatmirësisht nuk pati viktima.