Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka ndaluar të dyshuarin K.SH., në kohëzgjatje prej 48 orësh, me dyshimin se ka kryer veprat penale ‘kontrabandim me migrantë’ dhe ‘posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.
“Ekziston dyshimi i bazuar që më 19 tetor 2019, rreth orës 21:50, në Pikën Kufitare ’’Dheu i Bardhë’’, i dyshuari K.SH., me qëllim të përfitimit pasuror, ka tentuar të kryente kontrabandë me migrantë, në atë mënyrë që i dëmtuari R.O., paraprakisht kishte kontaktuar me të dyshuarin, i cili i kishte premtuar se do ta dërgonte në Belgjikë, pasi që nuk posedonte dokumente valide për këtë udhëtim, ku për të gjitha këto shërbime, i njëjti duhej të paguante shumën prej 3.500 euro, pasi të arrinte në Belgjikë”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
“Gjithashtu, i dyshuari K.SH., pa autorizim, ka poseduar substanca narkotike, ashtu që me rastin e kontrollimit nga ana e zyrtarëve doganor, në veturën e tij janë gjetur 3.6 gramë kokainë”.
Prokurori i rastit, brenda afatit ligjor do të vendosë mbi masën e sigurisë së të pandehurit, me qëllim të zbatimit të suksesshëm të procedurës penale./Gazeta Sinjali/