Agnesa Muhaxheri, bashkëshortja e koordinatorit të PDK-së në Pejë, Arton Muhaxherit, është ‘shpërblyer’ me disa tenderë nga Universiteti i Pejës “Haxhi Zeka”, aty ku sekretari i këtij universiteti si anëtar i PDK-së, Astrit Ademaj ka miqësi me bashkëshortin e Agnesës, raporton Gazeta Sinjali.
Dyshimet janë se miqësia mes Ademajt dhe Muhaxherit po rezulton me tenderë të këtij universiteti që e shpërblen bashkëshorten e Arton Muaxherit. Agnesa që ka në pronësi “PROBIZ Consulting SH.P.K.” ka fituar disa tenderë në Universitetin e Pejës “Haxhi Zeka”.
Përveç raporteve të tyre kolegiale, Muhaxheri dhe Ademaj kanë miqësi të afërt që shpërfaqet edhe nga ndejat që i publikojnë në rrejtët sociale. Ata janë shfaqur në disa raste afër njëri-tjetrit.
Çudia e këtyre kontratave është se pavarësisht që biznesi i bashkëshortes së koordinatorit të PDK-së ka për punë primare konsulencën, kryen edhe punë të vrazhda.
Kompania e bashkëshortes së Muhaxherit ka fituar një kontratë “Dizajnimi dhe lyrja e hyrjes në Fakultetin e Biznesit”, në vlerë pre 999 euro. Data e nënshkrimit të kësaj kontrate ka qenë me 27.11.2018. Kontrata është fituar me 3 oferta, duke ngritur dyshime edhe për kurdisje të kryerjes së punëve.
Por, kjo nuk është kontrata e vetme që e ka fituar bashkëshortja e koordinatorit të PDK-së, në Universitetin që udhëhiqet nga bashkëpunëtori i Xhavit Halitit, ish nënkryetarit të Kuvendit nga PDK-ja.
Më 25.10.2018 Agnesa Muhaxheri ka nënshkruar edhe një kontratë me tri oferta në vlerë prej 999 euro për Universitetin e Pejës “Haxhi Zeka”, me emërtimin “Shërbime për ceremoninë e diplomimit”.
Poashtu kontraktori i PDK-së, Berat Thaqi, i cili ka në pronësi biznesin “Grand Studio O.P.” ka fituar disa tenderë në Universitetin e Pejës “Haxhi Zeka”.Thaqi është i afërt me Arton Muhaxheri dhe Astrit Ademaj i cili është anëtar i PDK-së dhe sekretar në Universitetin “Haxhi Zeka”. /Gazeta Sinjali/