Rastet e dhunës në familje sa vijnë e shtohen përditë në vendin tonë. Zakonisht janë gratë ato të cilat kërkojnë mbrojtje institucionale për shkak të dhunës që përjetojnë kryesisht nga bashkëshortët e tyre, por edhe nga anëtarët tjerë të familjes, raporton Gazeta Sinjali.
Si pasojë e telasheve në martesë, në Polici kanë përfunduar edhe një çift nga komuna e Lipjanit.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë bëjnë me dije se rastin e ka denoncuar një 26-vjeçare, e cila është ankuar se bashkëshorti i saj e ka sulmuar atë fizikisht.
Bazuar në dëshminë e saj e gjithë ngjarja ka ndodhur në shtëpinë e çiftit në rrugën ‘Shën Flori’ në Lipjan, ku pos dhunës psikike të cilën dyshohet se ia shkaktoi i dyshuari, ai edhe e ka sulmuar fizikisht duke e goditur.
Njësitë policore kanë arritur që ta arrestojnë të dyshuarin dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që 41-vjeçari të dërgohet në mbajtje për 48 orë dhe i njëjti të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.