Të paktën 9 persona me kombësi shqiptare kanë humbur jetën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të prekur me COVID-19, ndërkohë që mbi 30 shqiptarë janë të infektuar.
Ambasadorja shqiptare në SHBA, Floreta Faber, sqaron se anëtarët e komunitetit shqiptarë janë 3 nga Shqipëria, 4 nga Maqedonia e Veriut dhe 2 nga Mali i Zi.
“Me disa prej tyre është komunikuar drejtpërdrejtë në telefon, të cilët kanë informuar se simptomat e sëmundjes janë të rënda, por fatmirësisht të kalueshme në kushte shtëpie”, shprehet Faber.
Individët trajtohen në spital vetëm kur janë në gjendje tepër kritike dhe kanë probleme me frymëmarrjen dhe kërkohet mbështetja e tyre me respiratorë.
Kryediplomatja shqiptare thotë se nga bisedat ka mësuar se një pjesë e madhe e komunitetit kanë humbur dhe vendet e punës.
“Ambasada nxit anëtarët e komunitetit të jenë të vëmendshëm ndaj udhëzimeve të dhëna nga shtetet përkatëse për të përfituar nga ndihmat financiare të ofruara nga shteti amerikan. Vetë ambasada do mundohet të përmbledhë këto informacione dhe t’i ofrojë në gjuhën shqipe dhe të ofrojë adresat ku duhet të drejtoheni në çdo shtet”, tha ajo.
Në ditët në vijim do vijojmë me kontakte të përditshme me anëtarë të tjerë të komunitetit në shtete të tjera ku ka një përqendrim të lartë të komunitetit shqiptar.
Ambasadorja tashmë ka biseduar me përfaqësues në disa qytete të shteteve të Nju Jorkut, Miçiganit, Teksasit, Shtetit të Uashingtonit, Kalifornisë, Floridas dhe Filadelfias.
“Nëse përfaqësuesit e shoqatave që dëshirojnë të komunikojnë me Ambasadoren apo stafin e ambasadës, për pyetje apo për të ndarë informacione mbi situatën e komunitetit në qytetin e tyre, lutemi na shkruani në adresën [email protected] dhe ne do ju kontaktojmë menjëherë. Tregoni sa më shumë kujdes për vete, familjen tuaj dhe komunitetin që ju rrethon”, thuhet në njoftimin./Gazeta Sinjali/