Numri i personave që kanë humbur jetën nga vërshimet dhe rrëshqitjet e dheut në Turqi ka arritur në të paktën 40, raportuan sot zyrtarët nga Agjencia për emergjenca dhe fatkeqësi.
Shirat e rrëmbyeshëm që goditën të mërkurën provincat Bartin, Kastamonu dhe Sinop, kanë shkaktuar vërshime, që kanë shkatërruar shtëpi, kanë dëmtuar të paktën pesë ura dhe shumë rrugë janë bërë të pakalueshme.
Agjencia turke për katastrofa tha se 34 persona kanë vdekur në Kastamonu dhe gjashtë në Sinop.
Rreth 2.250 persona janë evakuuar në mbarë rajonin dhe disa janë shpëtuar përmes helikopterëve, ndërkaq të tjerë janë strehuar përkohësisht në konviktet e studentëve, thanë autoritetet.
Ekspertët në Turqi, thonë se ndërhyrjet në shtretërit e lumenjve dhe ndërtimet pa leje, kanë kontribuar që Turqia të pësojë dëme masive nga vërshimet, raporton REL, përcjell Gazeta Sinjali.
Vërshimet në Turqi vijnë teksa jugu i Turqisë është përballur me zjarre të mëdha. /GazetaSinjali/