Federata e Xhudos së Kosovës e kaloi me sukses provimin më të madh ndonjëherë duke e organizuar për mrekulli Kampionatin Evropian të Hapur të xhudos.
Yjet e xhudos kosovare fituan medalje në evenimentin që u mbajt në Pallatin e Sporteve në Prishtinë, respektivisht Akil Gjakova e fitoi të artën e Dardan Cena, Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi të bronztën.
E Federata e Xhudos sot me një postim, përmes së cilit u shpreh e lumtur për organizimin e Evropianit dhe për sukseset e arritura nga xhudistët kosovarë falënderoi të gjithë mbështetësit e tyre.
“Salla e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve ishte e mbushur në çdo anë me qytetarët tanë e me energjinë e tyre fantastike! Ju jeni ata që na keni mbështetur ndër vite, duke na dhënë motivim për të punuar çdo ditë drejt fitoreve”, thuhet ndër tjera të reagimin e tyre.
Reagimi i plotë:
Kosova, shtet i xhudos me zemër të madhe!
Salla e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve ishte e mbushur në çdo anë me qytetarët tanë e me energjinë e tyre fantastike! Ju jeni ata që na keni mbështetur ndër vite, duke na dhënë motivim për të punuar çdo ditë drejt fitoreve.
Është një kënaqësi e veçantë që kemi sjellë bukurinë e sportit të xhudos në vendin tonë dhe ju kemi mundësuar të përjetoni emocionet dhe adrenalinën e kampionëve nga afër!
Faleminderit secilit e secilës, që erdhët e na nderuat me mbështetjen tuaj!
Federata e Xhudos e Kosovës është përjetësisht falenderuese!