Gazeta Sinjali raportoi mbrëmë se gjatë një aksioni të Policisë së Kosovës janë arrestuar pesë persona nën dyshimin se kanë përgatitur vepra terroriste. Emri i të arrestuarit të parë ishte Ardian Qerkinaj, kurse i të dytit ishte Mentor Bellaqa. Ndërkaq dy të arrestuarit e tjerë janë Ergim Syla dhe Nehrudin Skenderi.
Sinjali nga burimet ka mësuar se Qerkinaj jeton në lagjen “Dardania” në Pejë dhe se pas orës 13:30 është bllokuar lagjja dhe është kryer bastisja.
Gjithashtu, Sinjali ka mësuar se Qerkinaj ka qenë pjesë e grupit në Siri para disa vitesh. Por ende nuk është e qartë nëse të arrestuarit kanë lidhje me ISIS-in ose organizatat tjera terroriste.
Kurse, burimet e Sinjalit kanë njoftuar se i dyshuari tjetër, Mentor Bellaqa, u arrestua në Prizren, rreth orës 15:00, bashkë me një të dyshuar tjetër për këtë rast.
Bellaqa ka qenë i arrestuar në vitin 2014, si një nga të dyshuarit që kanë qenë pjesë e luftës në Siri.
Prokuroria Speciale ka njoftuar se gjatë bastisjes janë gjetur materie eksplozive, armë të zjarrta dron, si dhe armë anti-tankë.
“Gjithashtu, ekziston dyshimi i arsyeshëm se të njëjtit persona kanë kryer veprat penale “Përgatitja e veprave Terroriste ose veprave penale kundër rendit Kushtetues dhe Sigurisë së Republikës së Kosovës” nga neni 138 paragrafi 1 të KPRK-së, lidhur me veprën penale “Kryerja e veprës terroriste” nga neni 129 paragrafi 1lidhur me nenin 31 të KPRK-së, si dhe veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse” nga neni 364 paragrafi 2 i KPRK-së”, thuhet nga prokuroria.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.