image Të akuzuarit në rastin “Pronto” kërkojnë nga Apeli të lirohen nga akuza

Drejtësi

Të akuzuarit në rastin “Pronto” kërkojnë nga Apeli të lirohen nga akuza

news image

Pasi Gjykata Supreme e Kosovës i kishte prishur aktgjykimet e Themelores dhe të Apelit, të enjten është mbajtur seanca në Gjykatën e Apelit ndaj ish-deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Adem Grabovci, si dhe Ilhami Gashit e Sadat Gashit.

Tre të akuzuarit gjatë kësaj seance kanë kërkuar nga Apeli që të refuzohet ankesa e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe të njëjtit të lirohen nga akuza.

Mbrojtësi i të akuzuarit Grabovci, avokati Florent Latifaj ka thënë se të enjten është mbajtur seanca gjyqësore, ku të njëjtit kanë kërkuar që të vërtetohet aktgjykimi i Gjykatës themelore në Prishtinë, i datës 3 janar 2020, ku të akuzuarit ishin liruar nga akuza.

“Kam kërkuar me u refuzua ankesa e prokurorisë dhe mu vërtetu aktgjykimi i Gjykatës Themelore”, ka thënë për “Betimi për Drejtësi”, mbrojtësi i të akuzuarit Grabovci, avokati Florent Latifaj.

Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Sadat Gashi, avokati Mahmut Halimi ka thënë se gjatë kësaj seance kanë propozuar që të lirohet mbrojtësi i tij, për shkak se sipas tij nuk ka asnjë element të veprës penale për të cilën akuzohet.

Ndryshe, në prill të këtij viti Gjykata Supreme e ka prishur aktgjykimin e Gjykatës së Apelit, të 30 qershorit 2020 dhe atë të Gjykatës Supreme, të 29 shtatorit 2020, për pjesën dënuese në rastin “Pronto”, me ç`rast i ka anuluar dënimet e shqiptuara ndaj ish-deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci si dhe për Ilhami Gashin dhe Sadat Gashin.

Ky vendim i Supremes kishte ardhur pasi mbrojtësit e të akuzuarve i ishin drejtuar kësaj gjykate me kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë.

Ndryshe, ky rast kishte shkuar në Gjykatë Supreme edhe me ankesë të Prokurorisë Speciale dhe të mbrojtësve së të akuzuarve.

Por, në nëntor të vitit 2020, Gjykata Supreme e Kosovës, përmes një komunikate për media, kishte bërë të ditur se kishte refuzuar ankesat e prokurorisë speciale dhe ato të mbrojtësve dhe kishte vërtetuar aktgjykimin dënues të Gjykatës së Apelit, ndaj tre të akuzuarve në rastin e njohur si “Pronto”, Adem Grabovci, Ilhami Gashi dhe Sadat Gashi.

Ata akuzoheshin për veprën penale “shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje”.

Gjykata e Apelit, me 30 qershor 2020, kishte ndryshuar pjesërisht aktgjykimin e shkallës së parë për rastin “Pronto” dhe i kishte shpallur fajtor Adem Grabovcin, Ilhami Gashin dhe Sedat Gashin, për veprën penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës”.

Adem Grabovcit, i cili ishte liruar nga akuza nga shkalla e parë, Apeli i ka shqiptuar dënim unik prej 1 vjet e 2 muaj burgim, dënim i cili nuk do të ekzekutohet në rast se ai nuk kryen vepër tjetër penale, në kohëzgjatje prej 2 viteve.

 Grabovcit i është hequr edhe e drejta për t’u zgjedhur dhe i është ndaluar ushtrimi i funksioneve ne administratën publike apo shërbimin publik, në kohëzgjatje në kohëzgjatje prej 2 viteve, pas kalimit të periudhës së verifikimit të dënimit me kusht.

Ilhami Gashit i është shqiptuar dënim unik prej 1 viti e 4 muaj burgim, i cili dënim nuk do të ekzekutohet në rast se i akuzuari nuk kryen vepër tjetër penale, ne kohëzgjatje prej 2 viteve. Atij gjithashtu i është hequr e drejta për t’u zgjedhur dhe i është ndaluar ushtrimi i funksioneve ne administratën publike apo shërbimin publik, në kohëzgjatje në kohëzgjatje prej 2 viteve, pas kalimit të periudhës së verifikimit të dënimit me kusht.

Ndërsa Sedat Gashi është dënuar me burgim ne kohëzgjatje prej 8 muaj, i cili dënim nuk do të ekzekutohet në rast se i akuzuari nuk kryen vepër penale në kohëzgjatje prej 1 viti. Atij i është hequr e drejta për t’u zgjedhur dhe i është ndaluar ushtrimi i funksioneve ne administratën publike apo shërbimin publik, në kohëzgjatje në kohëzgjatje prej 2 vjetëve, pas kalimit të periudhës së verifikimit të dënimit me kusht.

Kurse për të akuzuarit tjerë në këtë rast, Besim Beqaj, Zenun Pajaziti, Nijazi Kryeziu, Arbenita Pajaziti, ish-sekretari i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Fatmir Shurdhaj, Ismet Neziraj, Xhavit Dakaj dhe Rexhë Abazi, Apeli e ka refuzuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), duke e vërtetuar aktgjykimin lirues të shkallës së parë.

Ankesë kundër vendimit të Gjykatës së Apelit kishin parashtruar mbrojtësi i Grabovcit, avokati Florent Latifaj, mbrojtësi i të akuzuarit Ilhami Gashi, avokati Gëzim Kollqaku, si dhe mbrojtësi i Sadat Gashti, avokati Mahmut Halimi, të cilat janë paraqitur edhe në seancën e mbajtur në Gjykatën Supreme, më 29 shtator të këtij viti.

Tutje, në seancën që ishte mbajtur më 4 shkurt 2019, mbrojtja e të akuzuarve Adem Grabovci, Besim Beqaj, Zenun Pajaziti dhe të tjerëve në rastin e njohur “Pronto”, e kishte kundërshtuar aktakuzën.

Mirëpo Gjykata Themelore në Prishtinë, më 3 prill 2019, e kishte konfirmuar aktakuzën ndaj Adem Grabovcit, Besim Beqajt, Zenun Pajazitit dhe të tjerëve në rastin e njohur “Pronto”, pasi që kishte refuzuar kërkesën e mbrojtjes për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Në mesin e 11 të akuzuarve janë, ish-shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ish-ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, deputeti aktual i PDK-së, Zenun Pajaziti, ish-kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit, Nijazi Kryeziu, ish-shefja e Njësisë për furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti, ish-sekretari i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ilhami Gashi, ish-zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Fatmir Shurdhaj, ish-këshilltari politik në MPB, Sedat Gashi, Ismet Neziraj, Xhavit Dakaj dhe Rexhë Abazi.

Ata akuzohen për kryerjen e veprës penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje”.

Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare duke bashkëpunuar në mes vete për dhënien e privilegjeve dhe përparësive kundërligjshme personave të cilët kanë konkurruar në funksione të rëndësishme.

Ky rast ishte publikuar nga mediat publike, duke zbuluar veprimet dhe metodat e punësimit brenda grupeve të ngushta interesi, në bazë të së cilës është nisur hetimi i prokurorisë, i cili rezultoi me ngritjen e aktakuzës.

Kjo vepër për të cilën akuzohen këta zyrtarë dhe ish-zyrtarë, është e dënueshme prej 6 muaj deri në 5 vjet burgim. Protagonisti kryesor i asaj që është quajtur si “Afera Pronto”, ka qenë ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Adem Grabovci.

Në vitin 2011, për herë të parë ishin publikuar në media bisedat nga disa përgjime të EULEX-it, e ku Grabovci dëgjohej duke biseduar ndër të tjerash edhe me presidentin aktual Hashim Thaçin, kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe persona të tjerë të politikës, kryesisht të PDK-së.

Grabovci në atë kohë ishte duke u hetuar nga ana e EULEX-it për vepra korruptive në cilësinë e zëvendësministrit të Ministrisë së Transportit dhe Telekomunikacionit, mirëpo këto hetime ndaj tij ishin mbyllur në mungesë të provave.

Në këto përgjime që përfshijnë një periudhë prej dy muajve, nëntor – dhjetor 2011, Grabovci dhe bashkëbiseduesit e tij, mes të cilëve edhe ministri aktual Besim Beqaj, deputeti i PDK-së, Zenun Pajaziti dhe disa persona tjerë, dëgjohen duke diskuar punësimet e personave të afërt me PDK-në në institucione të ndryshme si anëtarë bordesh, drejtorë ndërmarrjesh e agjencish të pavarura, raporton Betimi për Drejtësi.

Shënim: Personat e përmendur në këtë̈ artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç̧ nëse nga gjykata vërtetohet se janë̈ fajtorë me vendim të formës së prerë.

/GazetaSinjali/