Këngëtarja e njohur Taylor Swift është shpallur muzikantja më e pasur në histori, me një pasuri të vlerësuar në rreth 2 miliardë dollarë, sipas raportimeve të Forbes.
Sipas listës “Iconoclast 50”, ajo ka kaluar këngëtaren Rihanna në renditjen e artisteve më të pasura, ndërsa mbetet ende pas reperit dhe sipërmarrësit Jay-Z, i cili vlerësohet me një pasuri prej rreth 2.8 miliardë dollarësh.
Raporti thekson se rritja e pasurisë së Swift ka qenë jashtëzakonisht e shpejtë. Ajo u bë miliardere në vitin 2024, ndërsa deri në mars 2026 pasuria e saj është dyfishuar.
Suksesi i saj financiar lidhet kryesisht me turneun historik “Eras Tour”, i cili ka gjeneruar mbi 2 miliardë dollarë nga shitja e biletave, mallrave dhe sponsorëve.
Sipas Forbes, rol të rëndësishëm ka luajtur edhe rikthimi i kontrollit mbi katalogun e saj muzikor, pas një mosmarrëveshjeje për të drejtat e incizimeve, si dhe ri-incizimi dhe rishpërndarja e albumeve të saj të vjetra.
Albumet dhe projektet e saj të fundit kanë vazhduar të gjenerojnë të ardhura të mëdha në platformat e transmetimit, duke e konsoliduar pozicionin e saj si një nga artistet më të suksesshme financiarisht në historinë e muzikës moderne.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!