image Talebanët u kërkojnë pronarëve të dyqaneve që t'ua heqin kokën manekinëve - Sinjali

Talebanët u kërkojnë pronarëve të dyqaneve që t’ua heqin kokën manekinëve

news image

Talebanët u kanë kërkuar pronarëve të dyqaneve në perëndim të Afganistanit që t’ua heqin kokat manekinëve, duke insistuar se figurat njerëzore shkelin Ligjin islamik.

Një video e disa burrave duke hequr kokat e figurave gra prej plastike është shpërndarë gjithandej nëpër rrjetet sociale.

Prej kthimit në pushtet në muajin gusht, talebanët udhëheqin sipas interpretimit të ashpër të Ligjit islamik, duke kufizuar liritë e njerëzve, sidomos të grave dhe fëmijëve.

“U kemi kërkuar pronarëve të dyqaneve që të këpusin kokat e manekinëve pasi kjo gjë është në kundërshtim me Ligjin e Sheriatit (Islamik)”, ka thënë Aziz Rahman, udhëheqës i Ministrisë për Promovimin e Virtytit dhe Parandalimin e Vesit, ka raportuar agjencia e lajmeve AFP.

“Nëse ata vetëm mbulojnë kokat e manekinëve apo i fshehin figurat, engjëlli i Zotit nuk do të hyjë në dyqanet apo shtëpitë e tyre për t’i bekuar”, ka shtuar ai, pasi disa pronarë dyqanesh i janë përgjigjur rregullit duke mbuluar figurat me qese plastike, raporton REL.

Talibanët deri më tani nuk kanë lëshuar ndonjë politikë kombëtare për manekinët apo statujat.

Sipas interpretimit të ashpër të Ligjit Islamik, paraqitja e figurave njerëzore, është gjë e ndaluar.

Gjatë regjimit të tyre të parë më 1990, talebanët patën nxitur zemërim global, meqë kanë hedhur në erë dy statuja të shenjta të liderit fetar indian, Budës./GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin