Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani priti në takim të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Në njotimin e Presidencës së Kosovës thuhet se Osmani shprehi falënderimin për mesazhin e qartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të shprehur dje, lidhur me zhvillimet e fundit në veri të vendit dhe kërkesën për heqjen e menjëhershme të barrikadave e ndalimin e kërcënimeve dhe frikësimit të qytetarëve lokal, si dhe sulmeve ndaj Policisë së Kosovës, zyrtarëve të komisionit zgjedhor dhe misionit të EULEX në Kosovë.
Në takim është diskutuar për zhvillimet e fundit në vend dhe në rajon. Presidentja Osmani ka theksuar nevojën urgjente të heqjes së barrikadave në veri të vendit të vendosura nga strukturat ilegale të organizuara në banda kriminale dhe të dirigjuara nga Vuçiqi.
Presidentja potencoi se sulmet ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre ndërkombëtare janë krime për të cilat autorët e këtyre sulmeve duhet të përballen urgjentisht me drejtësinë.
Në takim me emisarin Escobar, Presidentja Osmani ka potencuar se Kosova vazhdon të jetë palë konstruktive në procesin e dialogut, dhe se veprimet e Serbisë janë tentim për të minuar dialogun për njohje të ndërsjellë.
“Në takim u diskutua se si të avancohen edhe më tej raportet mes Republikës së Kosovës dhe SHBA-ve, dhe në veçanti kërkesën e Presidentes Osmani të bërë në qershor 2022 për fillimin e dialogut strategjik në mes dy shteteve, si dhe integrimin e Kosovës në strukturat euroatlantike”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidencës.