image Takimi Kurti - Merkel/ Nga Qeveria tregojnë për temat që do të diskutohen

Politikë

Takimi Kurti – Merkel/ Nga Qeveria tregojnë për temat që do të diskutohen

news image

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të martën do të ketë një takim bilateral me kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel në Tiranë. Vizita e kësaj të fundit në Ballkanin Perëndimor po shihet si mbështetje për bashkëpunimin rajonal brenda agjendës evropiane.

Nga ekzekutivi konsiderojnë se Merkel do të jap mesazhin mbështetës për vazhdimin e Procesit të Berlinit, derisa opozita e mirëpret një vizitë të tillë.

Ndërkohë, njohësit e integrimeve evropiane presin nga Merkel qartësimin e pozicionit të saj për iniciativën rajonale të “Ballkanit të hapur”.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu konfirmoi takimin bilateral ndërmjet kryeministrit Kurti dhe kancelares Merkel, ndërsa tha se aty do të diskutohet për bashkëpunimin rajonal, Procesin e Berlinit dhe temat në interes të dy vendeve.

“Samitit të radhës të shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian që pritet të mbahet në Slloveni më 6 tetor të këtij viti, po i paraprinë një vizitë e kancelares Merkel në rajon. Ky është mesazh i fuqishëm e mbështetës për Procesin e Berlinit, për bashkëpunimin rajonal brenda agjendës evropiane dhe po ashtu mesazh edhe për rolin e rëndësishëm që Gjermania ka në gjithë këtë proces. Andaj në takimin që pritet të mbahen gjatë javës së ardhshme në Tiranë, mes kryeministrit Kurti dhe kancelares Merkel pritet të bisedohet për bashkëpunimin rajonal dhe Procesin e Berlinit dhe për çështje dhe tema bilaterale në interes të dy vendeve tona”, thotë Kryeziu.

Vizitën e Merkel në Ballkanin Perëndimor po e konsideron të rëndësisë së jashtëzakonshme, edhe nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shqipe Mjekiqi.

“Vizita e zonjës Merkel në Ballkan është e rëndësisë së jashtëzakonshme, e dimë që zonja Merkel ka qenë ideatorja kryesore e themelimit të Procesit të Berlinit në vitin 2014. Është mëkat që ajo s’do të vazhdojë të paktën në pozicionin e saj të angazhohet për të promovuar Ballkanin Perëndimor në kuptim të integrimit në BE. Por është mesë e rëndësishme që të paktën në përmbyllje të mandatit të bëjë edhe një vizitë të fundit në këto vende”, thotë Mjekiqi për KP.

Javën e ardhshme, më saktësisht më 13 dhe 14 shtator, kancelarja Merkel do të qëndrojë në Ballkanin Perëndimor. Ajo fillimisht do të vizitojë Serbinë, e pastaj Shqipërinë, pas takimeve bilaterale me kryeministrin Edi Rama, ajo do të pres në takime dypalëshe edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe të Bosnje të Hercegovinës.

/GazetaSinjali/