image Takimi i 2 majit, Berisha: Serbia ka rolin kërkues, Kosova është e detyruar që të zbatojë marrëveshjet

Politikë

Takimi i 2 majit, Berisha: Serbia ka rolin kërkues, Kosova është e detyruar që të zbatojë marrëveshjet

news image

Dy partitë opozitare Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) po konsiderojnë se me dakordimin në Ohër me Serbinë, kryeministri Albin Kurti ka shkelur çdo vijë të kuqe.

Nga Partia Demokratike e Kosovës thonë se Kosova nga kjo marrëveshje e ka rolin zbatues e sipas tyre Serbi është kërkuese.

Deputeti i PDK-së Hisen Berisha, tha se pritjet e bashkësisë ndërkombëtare për takimin janë të qarta për të dyja vendet.

“Pritjet janë të qarta janë të lexueshme i kemi qëndrimet e përfaqësueseve ndërkombëtar dhe kërkesat e tyre konkrete. Kryeministri në marrëveshjen e Brukselit dhe atë të Ohrit, të gjitha ato detyrime që përfshihen në kuadër të marrëveshjes së Brukselit për planin franko-gjerman dhe ato në aneksin për implementim të Ohrit janë qartësisht të definuar dhe ato do të interpretohen vetëm nga Lajçak”, tha ai.

Berisha tha se Kosova në takimin e dy majit nuk e ka komoditetin për mbajtjen e qëndrimeve, pasi sipas tij, Kosova në këtë rast është e detyruar që të zbatoj marrëveshjet e Serbia e ka rolin kërkues.

“Kosova nuk e ka më komoditetin dhe të drejtën e interpretimit dhe mbajtjes së qëndrimeve, por e kundërta. Por duhet vetëm që të jetë zbatuese, në këtë moment Serbia e ka rolin e asaj që insiston dhe kërkon kurse Kosova është e detyruar që të zbatoj”, tha ai për EO.

Kosova dhe Serbia do ta zhvillojnë takimin e radhës të nivelit të lartë më dy maj në Bruksel, tashmë në atë që po konsiderohet si “lojë” tjetër.

Detajet e fundit rreth takimit ndërmjet liderëve i ka dhënë emisari Miroslav Lajçak.

“Qëllimi kryesor i takimit në Ohër ishte arritja e marrëveshjes për zbatimin. Ky proces kulmoi dhe sot jemi në një lojë tjetër. Dialogu ka arritur një nivel më të lartë”, deklaroi fillimisht diplomati sllovak.

Ai e ka bërë të ditur se është i kënaqur me rezultatet deri më tani, megjithëse, njoftoi se fillimisht kanë bërë përpjekje që të bijën dakord për një “aneks më ambicioz”.

/GazetaSinjali/